Zelensky: ‘Glastonbury’, përqendrimi më i madh i lirisë

25 Qershor, 2022 - 12:36 pm

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e përshkroi “Glastonbury” si përqendrimin më të madh të lirisë teksa iu drejtua festivalit duke i bërë thirrje botës që të përhapë të vërtetën në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës.

Glastonbury është një festival pesëditor i arteve bashkëkohore interpretuese që zhvillohet në Pilton, Somerset, në Angli.

“Festivali rifillon këtë vit pas një pauze dyvjeçare, pandemia ka lënë në pritje jetën e miliona njerëzve në mbarë botën”, tha Zelensky përmes një videomesazhi.

“Ne, në Ukrainë do të donim të jetonim jetën si dikur, dhe të shijonim lirinë dhe këtë verë të mrekullueshme, por nuk mund ta bëjmë këtë sepse ka ndodhur më e tmerrshmja, Rusia na ka vjedhur paqen”, tha Zelensky.

“Ukraina nuk do të lejojë që lufta e Rusisë të na mposhtë. Ne dëshirojmë që lufta të ndalet përpara se ajo të shkatërrojë jetët e njerëzve në vendet e tjera të Evropës, Afrikës, Azisë, Amerikës Latine”, shtoi ai.

“Përhapni të vërtetën për luftën e Rusisë, ndihmoni ukrainasit që janë të detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës”, tha ai.

“Koha është e paçmuar dhe çdo ditë matet me jetë njerëzore. Sa më shumë njerëz të bashkohen me ne për të mbrojtur lirinë dhe të vërtetën, aq më shpejt do të përfundojë lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Vërtetoni se liria fiton gjithmonë!”shtoi ai.

Ai e përfundoi mesazhin e tij duke thënë “Slava Ukraini”, që përkthehet “Lavdi Ukrainës”, që u prit me brohoritje dhe duartrokitje të forta nga të gjithë të mbledhurit në skenën në “Worthy Farm”, Somerset./ KultPlus.com

Të ngjajshme