Zhduket monoliti misterioz prej metali

29 Nëntor, 2020 - 11:26 pm

Një monolit misterioz me origjinë të panjohur, i cili u zbulua së fundi në një shkretëtirë në perëndim të SHBA-së pati ndezur një mori polemikash për shfaqjen e tij, ndërkohë që tani, në mënyrë po aq misterioze, është zhdukur, deklaruan sot autoritetet lokale.

Zyra e menaxhimit të territorit të Utahut theksoi se kishte marrë dëshmi të besueshme, sipas të cilave objekti ishte zhvendosur nga disa persona të panjohur të premten në mbrëmje.

“Zyra nuk e ka marrë strukturën që është konsideruar si një pronë private”, theksoi ajo në një komunikatë.

“Ne nuk po hetojmë në lidhje me këtë ngjarje, pasi raste të të tilla që menaxhohen në fakt nga zyra e sherifit lokal”, shtoi ajo.

Një monolit metalik misterioz u zbulua më 18 nëntor në një shkretëtirë në perëndim të SHBA-së, duke ndezur imagjinatën e të pasionuarve të UFO-ve dhe tifozëve të Stanley Kubrick në mbarë botën.

Masa trekëndëshe me shkëlqim, që del më shumë se 3,5 metra nga toka e kuqërremtë në jug të Utahut, u zbulua nga zyrtarë lokalë të habitur që po fluturonin mbi zonë për të numëruar ekzemplarët e muflonëve.

Pas uljes, këta punonjës të Departamentit të Sigurisë Publike në Utah kanë mundur të ekzaminojnë “monolitin metalik”, duke mos zbuluar asnjë tregues të qartë se kush mund ta kishte vendosur atje.

“Është e ndaluar të vendosësh pa autorizim struktura apo vepra arti në tokat e menaxhuara nga qeveria federale, pa marrë parasysh se nga cili planetvini”, theksoi agjencia në një komunikatë.

Njoftimi i këtij zbulimi u shpërnda menjëherë në internet, me shumë njerëz që vunë re ngjashmëri me monolitët e çuditshëm jashtëtokësorë në filmin e Stanley Kubrick, “2001, Odiseja e Hapësirës”.

Të tjerë kanë parë aty një simbol shprese përballë sfidave të vitit 2020, siç shprehet një përdorues i Instagramit që sugjeron se mund të jetë një “buton i rinisjes” ose një tjetër, duke bërë shaka: “nga afër, mund të lexojmë:  “Vaksina kundër Covid-19 në brendësi”./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme