Zhysten Godar, miku i Shqipërisë, të drejtat e së cilës i mbrojti në arenën ndërkombëtare

12 Dhjetor, 2022 - 10:42 am

Zhysten Godar (Justin Godart), i cili lindi më 26 Nëntor 1871, është një personalitet politik francez me ide përparimtare, deputet dhe ministër në qeverinë e Francës gjatë Luftës I Botërore, mik i Shqipërisë, të drejtat e së cilës i mbrojti në arenën ndërkombëtare.

Vizitoi Shqipërinë disa herë e në periudha të ndryshme: së pari më 1921, pasi kishte ngritur zërin në përkrahje të të drejtave kombëtare të Shqiptarëve të marra nëpër këmbë nga Fuqitë e Mëdha fituese të Luftës I Botërore dhe nga shtetet fqinje ballkanike, dhe së fundi, më 1950, kur ishte zgjedhur kryetar nderi i shoqatës së miqësisë Francë-Shqipëri.

Shkroi dy libra për Shqipërinë: “L’Albanie en 1921” (“Shqipëria më 1921”) dhe “L’Albanie en 1922” (“Shqipëria më 1922”), botuar të dy në Paris 1922, në të cilët shprehu besimin në veprimtarinë e forcave demokratike të popullit shqiptar.

La pa përfunduar, për shkak të vdekjes, librin “Shqipëria më 1950”. Është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” të klasit të I. 

Godar, vdiq më 12 Dhjetor 1956. / KultPlus.com

Të ngjajshme