28 Korrik, 2025 - 9:27 am
Sistemi satelitor i NASA-s ka kapur imazhe shqetësuese që tregojnë përhapjen e zjarreve të shumta përgjatë gjithë Mesdheut, nga Greqia dhe Spanja, deri në Shqipëri dhe Qipro.
Qindra vatra aktive të zjarreve janë duke djegur pyje dhe zona të mëdha të gjelbërta, duke krijuar një panoramë dramatike në regjion. Pikat e kuqe në hartat satelitore përfaqësojnë vatrat aktive, qoftë të mëdha, qoftë më të vogla. Imazhet tregojnë zhvillimin e zjarreve, duke shfaqur ato që janë aktive sot, ato të regjistruara në 24 orët e fundit, dhe ato të ndodhur gjatë 7 ditëve të fundit,transmeton KultPlus
Javën e kaluar, të dhënat tregojnë një përhapje të gjerë të zjarreve, duke përfshirë disa nga vendet më të goditura nga temperaturat e larta. Vendet e Ballkanit dhe Italia janë përballur me një valë të fortë të të nxehtit, e cila ka ndihmuar në përhapjen e flakëve, përveç kushteve të tjera natyrore dhe të njerëzve që favorizojnë këtë proces.
Shumica e vatrave të zjarrit janë shfaqur në zona pyjore, ku flakët përhapen më lehtë për shkak të dendësisë së materialeve të djegshme. Disa prej pikave të kuqe mund të tregojnë aktivitete të tjera, si shpërthime që lidhen me luftën në Ukrainë, fabrika, ose djegie të kontrolluara nga fermerët në fusha.
Zjarret janë një kërcënim serioz për mjedisin dhe sigurinë e njerëzve. Pasojat janë të shumta, duke përfshirë shkatërrimin e florës dhe faunës, përveç rrezikut të mundshëm për jetën e banorëve që jetojnë pranë vatrave të zjarrit./KultPlus.com