Zjarri i teatrit, filozofisë dhe muzikës mbyll “Kalle Tutën” përmes Femart

21 Maj, 2023 - 11:40 am

Më 21 maj, 2023 Festivali FemArt përmbyll edicionin e 11-të me shfaqjen teatrore të Mitcha Figas “The Superfluous Man”, me regji të Yehezkel Lazarov, që është në një udhëtim artistik dhe filozofik nga Izraeli në FemArt. Kjo shfaqje do të prezantohet në Teatrin Oda nga ora 19:00.  

Yehezkel Lazarov është një nga artistët më të shquar izraelit, me karrierë si aktor në dhjetëra filma, seriale e shfaqje teatrore, regjisor, koreograf, si dhe drejtor artistik në film dhe video art.  

“The Superfluous Man” trajton fenomenin e indiferencës në jetën shoqërore dhe private. Përtacia, mosveprimi, plogështimi dhe ëndërrimi, janë pjesë e sistemit të besimit të heroit. Në këtë përshtatje Lazarov pyet nëse një person ka të drejtë të jetojë jetën e tij pa lënë gjurmë. A është legjitime largimi nga sekuenca e vazhdueshme e jetës, nga fuqia punëtore dhe nga jeta shoqërore në një botë që është tërësisht e përqendruar në aspiratat, synimet dhe arritjet? “Unë kurrë nuk e kam fituar jetën, kështu që nuk kisha asgjë për të humbur. Doja të mos ikja ndokund, por thjesht të isha dhe pastaj të mos isha…”.

Lazarov përgjatë FemArt-it ka punuar edhe me Trupën Artistike Rezidente të Artpolis, që do të jetë pjesë e kësaj shfaqje nga Izraeli.  

“The Superfluous Man” pasohet nga Koncerti i Rina Kaçinari Trio, në përbërje të Rina Kaçinari, Jörg Mikula dhe Carles Muñoz Camarero. Koncerti përmbyllës i FemArt do të realizohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës nga ora 21:00.

Rina Kaçinari Trio do të prezantojë një program me kompozime origjinale të tre artistëve që ndërthurin momente të ndryshme të jetës; trishtimin, dashurinë dhe lumturinë.

Me një spektër të gjerë muzikor nga xhazi në Ballkan, nga tango në avangardë, muzikantët kanë bërë një karrierë ndërkombëtare si solo, ashtu edhe në projekte me muzikantë të ndryshëm. Rina dhe Carles kanë ndjekur prej kohësh rrugëtimet muzikore të njëri-tjetrit.  

Këtë vit, dëshira e kamotshme për të bërë muzikë së bashku u realizua. Dy violonçelistë dhe vokalet e tyre harmonizohen në një mënyrë të mrekullueshme. Derisa Jörg Mikula në bateri ngjall kontrapunktën ritmike dhe melodike.

Mysafire të kësaj mbrëmje muzikore janë gratë Korit “Okarina”./KultPlus.com

Të ngjajshme