Zogaj në listën e aplikimit për “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit

17 Qershor, 2025 - 1:45 pm

Shqipëria ka aplikuar për programin ndërkombëtar “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit, një nismë që vlerëson fshatrat që kanë ruajtur identitetin, trashëgiminë dhe natyrën e tyre, duke zhvilluar turizmin në mënyrë të qëndrueshme.

Një nga 6 fshatrat që janë në listën që përfaqëson Shqipërinë është Zogaj, në Shkodër. Ndërsa 5 fshatrat e tjerë do të zbulohen në javët në vijim.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale tha se “Zogaj, fshati i peshkatarëve dhe artizanëve që me thesaret e tij natyrore, kulturore e mikpritjen e rrallë, është në listën e 6 fshatrave që përfaqësojnë Shqipërinë në aplikimin për “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit”.

Ky program promovon fshatrat e të gjithë botës, të cilat janë destinacione të turizmit të qëndrueshëm dhe mbështesin traditat, kulturën apo asetet natyrore përkatëse.

Zogaj gjendet 3-4 km përtej Shirokës dhe është i njohur për peshkimin, bimët mjekësore e klimën alpine. Ai kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Ky fshat kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut.

Kjo zonë shquhet edhe për prodhimin e qilimave tradicionalë, traditë e cila vijon të ruhet me fanatizëm nga gratë e zonës. Punimet me endje me kalimin e viteve janë kthyer në të preferuar nga turistët.

Gjashtë fshatrat përfaqësojnë pasurinë dhe shumëllojshmërinë e Shqipërisë rurale: nga majat e thepisura deri tek fushat pjellore e nga gurët e lashtë tek ngjyrat e jetës së përditshme.

Shqipëria konkurron mes 65 shteteve, me plot 270 fshatra, që garojnë për titullin “Fshatrat më të mirë turistikë”./KultPlus.com

Të ngjajshme