“Zogu i oqeanit”, anija e së ardhmes që bazohet tek e kaluara

17 Nëntor, 2020 - 7:54 pm

Edhe pse mund të duket një anije e së ardhmes, siç pretendon të jetë, Oceanbird – “Zogu i oqeanit”, bazohet tek e kaluara e lundrimit, sepse e merr energjinë nga era.

Anija transatlantike, e cila do të përdoret për transportin e makinave, po projektohet dhe ndërtohet nga Wallenius Marine, një kompani suedeze e prodhimit të anijeve, me mbështetjen e qeverisë suedeze dhe instituteve kërkimore.

Me kapacitet prej 7.000 mjetesh, anija 198 metra e gjatë do të sjellë një risi në transportin detar. Anija do të ketë pesë vela gjigante, secila gati 80 metra e lartë, që janë në gjendje të rrotullohen 360 gradë pa e prekur njëra-tjetrën. Gjithashtu ato mund të zvogëlohen deri në 60 metra, për të bërë të mundur kalimin nën ura, apo për të përballuar motin e keq. Velat, të cilat do të jenë prej çeliku dhe materiale të tjera, duhet të jenë kaq të mëdha për të siguruar energjinë e mjaftueshme për të lëvizur anijen me peshë 35.000 tonë.

Edhe pse parimet e lundrimit nuk janë të reja, dizajnimi i anijes ka qenë një sfidë e vërtetë, thotë Mikael Razola, arkitekt mjetesh lundrimi dhe menaxher i projektit. Këto do të jenë anijet më të larta të ndërtuara ndonjëherë.

“Ato mund të arrijnë deri në 100 metra mbi sipërfaqen e ujit”, thotë Razola. “Kur ngrihesh kaq lart në qiell shpejtësia dhe drejtimi i erës ndryshojnë shumë”.

Anijet e zakonshme të transportimit të makinave harxhojnë mesatarisht 40 tonë karburant në ditë, duke krijuar 120 tonë CO2, çka ka rritur presionin ndaj kompanive të prodhimit të anijeve, për të ulur këto shifra. Organizata Ndërkombëtare Detare, pjesë e OKB-së, ka vendosur një rregull që brenda vitit 2050 anijet të ulin me 50% sasinë e gazrave të dëmshëm që nxjerrin në atmosferë, me ambicien për ta çuar në zero këtë shifër brenda këtij shekulli.

“Zogu i oqeanit” është e dizajnuar për t’i tejkaluar këto objektiva, pasi kompania prodhuese thotë se ajo do të lëshojë 90% CO2 më pak se anijet tradicionale. Por gjithsesi do të ketë motorë, për të siguruar manovrimin në porte dhe për emergjenca.

Me një shpejtësi prej 10 nyjesh detare (18,5 km/h), “Oceanbird” do të lundrojë më ngadalë se anijet e deritanishme, që kapin një shpejtësi deri në 17 nyje detare (31,4 km/h). Kësisoj, udhëtimi transoqeanik do të zgjasë 12 ditë dhe jo 7. Kjo do të kërkojë miratimin edhe të kompanive të prodhimit të makinave, pasi afatet e tyre do të ndryshojnë. Megjithatë, thotë Razola, deri tani përgjigja ka qenë shumë pozitive.

Për ta nxjerrë në det “Zogun e oqeanit” do të duhet edhe pak kohë. Kompania ka prodhuar një model 7 metra të gjatë, të cilin do të nxjerrë për lundrimin testues në fund të këtij viti, por Razola thotë se objektivi është që anija në versionin origjinal të dalë në det në vitin 2024. \ A2News/ KultPlus.com

Të ngjajshme