Zonja Çurre, një emër i pashuar në kujtesën e rezistencës shqiptare

22 Korrik, 2025 - 5:29 pm

Më 22 korrik përkujtojmë 81-vjetorin e rënies së Zonja Çurres, një gruaje të re që la gjurmë të thella në historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.

E lindur në fshatin Tragjas të Vlorës në vitin 1920, Zonja Çurre është simbol i përkushtimit, trimërisë dhe vetëflijimit të grave shqiptare në përpjekjet për çlirimin e atdheut nga pushtuesit fashistë.

Në vjeshtën e vitit 1943, Zonja doli vullnetare dhe shkoi në mal partizante dhe u rreshtua në një nga batalionet që do të formonte më vonë Brigadën e V-të. U vendos në Kompaninë e parë dhe u caktua mitraliere. Me atë mitroloz Zonja nuk u nda, deri sa më 22 korrik 1944 dha jetën për lirinë e atdheut.

Që në moshë fare të re, ajo u bë përgjegjëse për organizimin e të rejave antifashiste në fshatin e saj, një rol që kërkonte jo vetëm vizion dhe guxim, por edhe një shpirt të palodhur përballë rreziqeve të përditshme që sillte lufta dhe terrori i pushtuesve, përcjellë KultPlus.

Në janar të vitit 1944, në kulmin e Operacionit të Dimrit, një nga periudhat më të vështira për forcat partizane, Zonja Çurre radhitet në formacionet luftarake të Brigadës së V-të Sulmuese.

Në ditët e fundit të jetës së saj, ajo vepronte në zonën e Klosit, në Mat, ku forcat partizane po zhvillonin luftime të ashpra. Ajo u përfshi me gjithë qenien në luftën për çlirim, duke u bërë pjesë e atij brezi të rinjsh që luftuan jo vetëm për të larguar pushtuesin, por për të ndryshuar rrënjësisht shoqërinë shqiptare.

Zonja Çurre nuk ishte një emër i rastësishëm në radhët e grave partizane, ajo përfaqësonte një brez grash që nuk pranuan të qëndronin në hije. Me armë në dorë dhe me idealin e lirisë në zemër, ato u bënë pjesë e betejës për çlirimin e vendit.

81 vjet pas rënies së saj, kujtimi për Zonja Çurren mbetet i gjallë. Ajo është një figurë që frymëzon, jo vetëm për trimërinë në luftë, por edhe për rolin e gruas shqiptare në ndërtimin e qëndresës popullore, duke na kujtuar se historia nuk duhet harruar, ajo duhet rrëfyer me nderim dhe me përgjegjësi./KultPlus.com

Të ngjajshme