Zuckerberg planifikon t’i rishikojë përmbajtjet e postimeve pas protestës së punonjësve të Facebookut

6 Qershor, 2020 - 1:30 pm

Pas një jave turbulente, drejtori ekzekutiv i Facebookut, Mark Zuckerberg, tha se kjo kompani planifikon të rishikojë “produktet dhe politikat” e saj pasi që punonjësit në këtë kompani në mënyrë shumë publike kundërshtuan vendimin e tij që të lejojë një postim nga presidenti Donald Trump, ka shkruar revista Digital Trends.

Zuckerberg tha në një postim në Facebook se vendimi për të rishikuar politikat e kësaj kompanie, e cila lejoi postimin e Trumpit “kur plaçkitja fillon, nisen plumbat”, erdh pas “reagimit të punonjësve, ekspertet e të drejtave civile dhe eksperteve të brendshëm”.

Ai tha se Facebook do t’i rishikojë politikat e veta që shqyrtojnë “kërcënimet e përdorimit të dhunës nga ana e shtetit” si dhe si të menaxhohen postimet të cilat mund të nxisin shtypjen e votuesve, dy tema për të cilat kjo kompani është kritikuar pas skandalit të vitit 2016 me kompaninë Cambridge Analityca, transmeton KOHA.

Postimi i Zuckerbergut erdh vetëm pas një jave pasi që e kishte mbrojtur vendimin e Facebookut për të lejuar postimin ndezës të Trumpit, edhe pasi që Twitter e kishte etiketuar dhe bllokuar ngase “lavdëronte dhunën”. Pas kësaj, punonjësit në Facebook shprehën mllefin e tyre ndaj mosveprimit të Zuckerbergut për të hequr këtë postim, dhe rreth 5,000 persona virtualisht lëshuan vendet e punës.

Postimi i Zuckerbergut të premten përfshiu listën prej shtatë temave të politikave që kjo kompani ka plan t’i rishikojë, përfshirë “nismat për të përparuar të drejtën racore dhe pjesëmarrjen votuese”.

“Duhet të rishikojmë nëse kemi nevojë të ndërrojmë strukturën për t’u siguruar se dëgjohen zërat e grupeve të duhura”, shkroi ai. “Jo vetëm kur janë në fjalë vendime që ndikojnë në grupe të caktuara, por edhe kur janë në pyetje vendime të cilat do të jenë precedent për gabime në të ardhmen. Jam i përkushtuar në rregullimin e përfaqësimit të llojllojshmërisë, përfshirjes së të gjithëve dhe drejtave të njeriut në proceset dhe menaxhimet tona, dhe së shpejti do të nxjerrim specifika se si mund të bëjmë përmirësime në lidhje me këto tema”, ka shtuar ai.

Të ngjajshme