2 Qershor, 2025 - 11:43 am
Aktorët Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Adriana Tolka, Brendi Bega, Katerina Fili dhe Anxhelo Dauti sollën këtë fundjavë, në Arturbina shfaqjen “Zullulandia”, mbi motivet e Faik Konicës.
Shfaqja erdhi si një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI).
Me regji dhe dramatizim të Endri Çelës, “Zullulandia” erdhi si një festë e madhe me nota satirike dhe një zgjim mbi realitetin ku po jetojmë. Vepra ishte plotësuar me ngjarje të realitetit të sotëm shqiptar.
“Zullulandia”, një vend në Afrikën e Lindjes, me popullin e saj të prapambetur e të nënshtruar, kërkon më shumë të drejta nga Evropa, prandaj dërgon në Paris dhe në Londër ambasadorin e saj, Denizullu-Serpen. Ky personazh, fodull dhe injorant, vihet në lojë prej kancelarëve të huaj, ndërsa, kur kthehet në “Zulluland”, mirëpritet prej zulluve me festa e nderime për “lëvdatat” e marra. I vetmi që e ka kuptuar talljen është Plugu, të cilit i duhet që t’i hapë sytë një populli të tërë zullush për talljet e Evropës mbi Zullulandian./atsh/KultPlus.com