Zyra doganore në Durrës, Rama: Deti ynë, i Kosovës edhe për tregti

4 Tetor, 2022 - 9:30 pm

Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot hapjen e Zyrës Doganore të Kosovës në portin e Durrësit, në të cilën prej 1 tetorit po kryhet zhdoganimi i mallrave.

“Shqipëri-Kosovë, jena 1”, u shpreh Rama. “Ja ku ka nisur edhe zhdoganimi në Portin e Durrësit për mallrat me destinacion Kosovën dhe deti ynë nuk është më edhe i Kosovës veç për turizëm, po është edhe i Kosovës për tregti”, shtoi Kryeministri.

Zyra Doganore e Kosovës në Portin e Durrësit nisi funksionimin më 1 shtator, por zhdoganoheshin vetëm maunet dhe karburantet. Nga 1 tetori në këtë zyrë kryhen procedurat e zhdoganimit për çdo lloj malli.

Nga hapja e kësaj zyre doganore janë 1040 biznese nga Kosova që përfitojnë jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi.

Hapja e Zyrës Doganore në portin e Durrësit, i kursen rreth 2 milionë euro biznesit, ndërsa koha e procedurave shkurtohet ndjeshëm./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme