100-vjetori i lindjes së poetit Zef Zorba, botohet vepra gjithëpërfshirëse e autorit

31 Mars, 2020 - 2:00 pm

Sot është 100-vjetori i lindjes së Zef Zorbës, që padyshim është një prej poetëve më të rëndësishëm të letrave shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX, shkruan KultPlus.

Zef Zorba ka qenë poet, regjisor dhe përkthyes i shquar.

Poezia e tij është e veçantë, dhe si e tillë ka ngjallë interesimin e studiuesve. Zorba është autor i vëllimit poetik “Buzë të ngrira në gaz” që iu botua pas vdekjes, në vitin 1994.

Me këtë vëllim, Zorba është çmuar si poet i veçantë që është përfaqësues i modernizmit dhe hermetizmit.

“Buzë të ngrira në gaz” është shqiptim poetik i lartë, fryt i një kohe absurde që shfaq ironinë tragjike për të bëmat e atij shteti të asaj kohe, në një shoqëri të ndaluar dhe të shkëputur nga bota.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese ‘Princi’, dhe vajzat e poetit, ishte përgatitur të organizonte sot, një konferencë shkencore, ku Zorba do të shpalosej i plotë nën zërin e studiuesve…

Por situata e krijuar me virusin Korona e ka shtyrë këtë konferencë për një kohë tjetër.

Këtë 100-vjetor, sipas botueses Irena Buzi do të botohet vepra gjithëpërfshirëse e Zorbës.

Së shpejti do të botohet Vepra I: POEZIA, si dhe studime mbi veprën e tij. Libri “Vepra I: POEZIA”, është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë, përfshihen krijimet e poetit, ku janë poezitë e botuara në vëllimin poetik “Buzë të ngrira në gaz”.

Këtij vëllimi i janë shtuar edhe disa poezi të panjohura deri më tani. Në pjesën e dytë përfshihen përkthimet e Zorbës nga vepra poetike e autorëve italianë të 900-ës, që ende nuk e kanë parë dritën e botimit. /KultPlus.com

Të ngjajshme