11 shkrimtarë i lexojnë Republikës

16 Shkurt, 2019 - 2:24 pm

(Fotografitë: Blerdi Malushi)

“Republika” titullohet ora letrare që u dha zë 11 poezive të poetëve nga Kosova.

Përmes vargjeve në këtë ngjarje u manifestua 11 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ora letrare u hap me zërat e fëmijëve të korit “Okarina”, të cilët nën udhëheqjen e Elikona Hysaj- Shala, sollën premierë këngën “Republika” me tekst të Bes Camajt. Kënga erdhi e komponuar nga udhëheqësja e korit, Elikona Hysaj Shala.

Në këtë orë letrare vargjet me publikun i ndanë Dije Demiri Frangu, Halil Matoshi, Brikenë Ceraja – Beka, Ilire Zajmi, Sali Bashota, Gili Hoxhaj, Vlora Konushevci, Besnik Camaj, Valentina Saraçini dhe Denis Galushi i cili e lexoi poezinë nga Kujtim Paçaku.

Në këtë orë letrare përveç interpretimit të poezive, poetët zbërthyen vargjet e tyre në një reflektim të shkurtër me moderatoren Hyre Murati.

Përveç poetëve në sallë, kjo orë letrare nderoi edhe poetët që më nuk janë.

Poezia e Kujtim Paçkut është ajo që e hapi orën letrare, ndërsa Sali Bashota lexoi një poezi kushtuar poetit Basri Çapriqi, e aktori Ismet Azemi lexoi vargjet e Besnik Camajt.

Organizatorja e kësaj ngjarje, Vlora Ademi gjatë fjalës së saj tha se Republika tani ka nevojë për heronjët e paqes dhe arti është ai që po mundohet ta mbajë për krahësh këtë Republikë.

“Po, këtu ka faj vramendja estetike. Dhe kështu ndodhi ngaqë elementin e parë e gjeta tek poezia, më saktësisht tek poema Republika. Mjaft kemi pasur heronjë të luftës. Republikës tani më shumë se kurrë i duhen heronjë të paqes. Dhe hero të tillë nuk të bën një kollarë e lidhur rreth qafe. Në fakt, këto kollare po e tkurrin Republikën, ia kanë nxënë frymën”, u shpreh Vlora Ademi.

Ademi tutje tha se për këtë orë letrare ka munguar mbështetja nga institucionet e larta të vendit, mirëpo poetët dhe të gjithë të tjerët që janë angazhuar në këtë ngjarje dhe shumë natyrshëm e kanë përkrahur realizimin e saj.

“T’mjerë ata që nuk ia dinë vlerën artit, poezisë dhe e injorojnë identitetin e tyre. Dhe në ndihmë të del dikush që e ka mundësinë minimale. Këtë orë letrare nuk e mbështetën institucionet më të larta të vendit, por me mundësitë e tij minimale, e mbështeti një djalë modest që m’ka befau për vullnetin e tij – Adrian Berisha nga Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës”,  tregoi ajo, duke thënë se ndihet e kënaqur për të gjitha reagimet që ka marrë nga publiku dhe se kjo ngjarje dëshmon se poetëve u kishte munguar një orë e tillë letrare.

Kjo orë letrare, tashmë synon të bëhet tradicionale, duke e shtuar çdo vit një poet më shumë. / KultPlus.com

Të ngjajshme