111 vjet nga lindja e Eqrem Çabejt, themeluesi dhe krenaria e Akademisë së Shkencave

7 Gusht, 2019 - 10:25 am

Sot është ditëlindja e akademik Eqrem Çabej, autoritetit shkencor më me zë në albanologji, shkruan KultPlus.

Eqrem Çabej (1908–1980), gjuhëtar, profesor dhe akademik, punoi si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkolla të mesme në Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Tiranë. Në vitin 1940 u mënjanua nga arsimi për shkak të përkrahjes së veprimeve antifashiste të nxënësve dhe u dërgua në Romë ku punoi për atlasin gjuhësor shqiptar. Me themelimin e UT rifilloi veprimtarinë mësimore si pedagog i lëndëve histori e gjuhës shqipe dhe fonetika historike e shqipes. Është një ndër anëtarët themelues të ASHSH dhe anëtar i Presidiumit të saj. Punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë deri në fund të jetës. Vdiq në Romë.

Veprimtaria e tij shkencore u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri edhe jashtë saj, sidomos në folklor, etnografi, histori të letërsisë. Fusha themelore e tij ka qenë historia e gjuhës, e vështruar në aspektet e problemet më të ndryshme të saj.

Nga veprat e para të tij, mund të përmenden: “Elemente të gjuhësisë dhe të literaturës shqipe, me pjesa të zgjedhura për shkollat e mesme” (1936), “Për gjenezën e literaturës shqipe” (1939), “Shqiptarët ndërmjet Lindjes dhe perëndimit” (1994), “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe” (1947, 1958), “Fonetika historike e shqipes” (1958). Ndër veprat kryesore të tij janë: “Studime etimologjike në fushë të shqipes” (në shtatë vëllime, 1976–2006); “Meshari” i Gjon Buzukut (1555)”, botim kritik në dy vëllime, i pajisur me një studim të gjatë hyrës (1958), “Shumësi i singularizuar në gjuhën shqipe” (1967)”, “Studime për fonetikën historike të gjuhës shqipe” (1988). Eqrem Çabej është anëtar i komisionit hartues të “Fjalorit të gjuhës shqipe” (1954), anëtar i komisioneve për përpunimin e terminologjisë të shumë degëve të shkencës e të teknikës dhe i komisioneve që punuan për hartimin e udhëzuesve drejtshkrimorë nga viti 1948 deri në “Drejtshkrimin e gjuhës shqipe” (1973); bashkautor (me A. Xhuvanin) në dy trajtesat “Parashtesat” dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1956, 1962).

Me botimet e shumta edhe në revista gjuhësore të huaja, si dhe me pjesëmarrjet në forume shkencore ndërkombëtare Eqrem Çabej u njoh si autoriteti shkencor më në zë në albanologji.

Eqrem Çabej ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë (dy herë) dhe është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. / KultPlus.com

Të ngjajshme