Entela Tabaku: Kur vijnë lajme të rënda prej Shqipërisë, ndiej pafuqi

1 Janar, 2020 - 9:00 pm

Arbër Selmani

Është mëkat, merreni si të doni, nëse nuk lexoni poezi të Entela Tabakut. Një qëndisëse e kujdesshme e vargjeve që copa copa bëhen bashkë në tryezën e saj, mbi letër, Entela Tabaku ka vite që jeton në Suedi, gjithmonë duke puthur ajrin e atdheut dhe ajrin e mërgimit. Gjithmonë një mërgimtare, thotë ajo, sepse edhe nëse ajo e harron këtë fakt, nuk e harron mjedisi përreth saj.

Nga Shkodra, Entela Tabaku kundron rrugëve të Suedisë me shqipen në maje të gjuhës. Kur del prej gjuhës, e gjen tabullarasën. Së fundmi, Entela ka sjellë një libër në bashkëpunim me Shqiptar Osekun, një tjetër bombë letrare e viteve të fundit. Një dyshe që nga Suedia po i japin përqafimin më të guximshëm shqipes.

Në këtë rrëfim Entela na tregon për provincializmin, për mërgimin dhe për jetën e saj në Suedi, për gruan që lexon, për rrezikun, për poezinë e saj dhe për studimin e saj të ditëpërditshëm.

Libri juaj i fundit mban titullin ‘Enciklopedia e mërgimit’. Na trego më shumë për librin dhe bashkëpunimin me Shqiptar Osekun?

‘Enciklopedia e mërgimit’ është një libër ku unë dhe Shqiptari kemi mbledhur bashkë poezitë që kemi shkruar këto vitet e fundit mbi mërgimin. Boshti i librit është një fjalor i mërgimit, Glossary of Migration, fjalët e të cilit na shërbejnë këtu si tituj poezish. Para librit kisha një ide të përgjithshme se ikja është e përbashkëta e të gjithë mërgimitarëve. Se mërgimi është një trekëndësh me kulm poshtë, me konceptin absolut të ikjes si pikënisje dhe brinjët e hapjes lart. Ishte interesante gjatë përgatitjes së librit të shihnim shpërfaqjen e asaj se nuk ka një pikë-nisje të përbashkët. Arsyeja e ikjes të vendos qysh në fillim në qoshe të ndryshme të brinjës, të drejtëzës. Shqiptari iku shumë i ri, bashkë me familjen e vet, i përndjekur prej vendit të vet. Unë ika e vetme, në moshë të rritur, sepse u dashurova me një të huaj. Këto ikje e ngjyrosin dhe e kushtëzojnë edhe përvojën e mërgimit. Temat e mërgimit janë universale, por përjetimi është privat. Trekëndëshi i mërgimit e ka kulmin lart. Përvojat puqen, nëse puqen, diku në pikë-mbërritje, që mund të ndodhë në kohë të ndryshme. Nganjëherë brenda vetes. Nganjëherë, si në rastin tonë, tek njëri-tjetri. Enciklopedia e Mërgimit, nga ky pikëvështrim, është një kulm më vete.

A ndihesh mërgimtare gjithmonë, a është kjo ndjenjë e pranishme shumë tek qenia yte? A ekziston ndjenja e ‘mërgimtarit’, cka është ajo?

Gjithmonë. Edhe nëse e harroj unë se jam mërgimtare, e di se nuk e harron mjedisi përreth meje. Unë jam nga ata pesimistët që mendojnë se mund të integrohesh patjetër, të gjesh vendin tënd në shoqëri, të çosh një jetë të mirë, por mbetesh e ardhur dhe e huaj për ta. Dhe në njëfarë mënyre i kuptoj. Unë jam rritur në Shkodër, atje u numëronim shtatë breza fshatarëve në qytet para se t’i merrnim në konsideratë, për fat të keq. Kjo e ka shenjuar edhe ndjenjën time të tëhuajëzimit të përjetshëm. Por jam përpjekur të mos u lë fëmijëve trashëgim identitetin e mërgimtares. Jeta është e vështirë megjithatë, edhe pa barrën e identiteve të trashëguara. Përndryshe mërgimi shndërrohet në një lubi që ushqehet me breza (shtatë?) me rrënjë në ajër dhe jo në një urë që i lejon njerëzit të shpërngulen nga një vend në tjetrin.

Para pak kohësh, Shqipërisë i ndodhi një tragjedi e madhe. Një njeriu të thjeshtë pa tendencë për të shkruar i intereson ta dijë, çka bëhet me një shkrimtare grua, çka bëhet me ju në ato momente kur kuptoni lajmin e tillë të kobshëm, apo lajmet tjera simotra?

Pafuqi. Kur vijnë lajme të rënda prej atdheut ndiej pafuqi. Dhe ndjenja e pafuqisë është një ndjenjë e frikshme, që mundohemi ta zbusim me lutje, bamirësi ose protagonizëm alla facebook. Të shkruaj nuk më shtyn gati kurrë. Kam nevojë për ndjenja të gjalla për të shkruar, qoftë edhe zemërim a zhgënjim, por ndjenja e pafuqisë është paralizuese për mua.

Çka ka Suedia që e thumbon kaq shumë Entelën dhe shpirtin e saj artistik e letrar?

Gjëja që adhuroj më shumë me Suedinë është respekti për hapësirën tënde, në të gjitha kuptimet. Më kujtohet shëtitja ime e parë në rrugët e qytetit ku jetoj tash 22 vjet, ndjesia e lirisë dhe e mbushjes me frymë. Njerëz që më kalonin përbri pa më trazuar me vështrime, me komente, me tërheqje nga krahu, pa m’u afruar kot më koti, pa u shtyrë. Secili në punën e vet. Për të mire a për të keq. Dhe harmonia që kanë me natyrën, sikur është pjesë e pandarë e jetës së tyre. Blinjtë e rrugës time për shembull, i ndiej sikur janë njerëz edhe ata. Kjo është frymëzuese, por frymëzimi im flet shqip. Vetëm kur iu riktheva shqipes, iu riktheva edhe poezisë.

Do të duhet t`ju pyesnim më shumë për poezitë tuaja, por po presim edhe pak. Entela lexon shumë, çka lexon, çka studion, prej kah merr shënime dhe si i transmeton ato në përditshmërinë e saj dhe penën e tabullarasë?

Unë ndodhem në një fazë të jetës me ndryshime të mëdha. Një ndryshim është rritja e fëmijëve. Kam kaluar nga një periudhë jete intensive ku lexoja vetëm libra për fëmijë, në një periudhë ku mund të lexoj ç’të dua unë. Kjo ma humb fillin nganjëherë. Atëherë vërej se ngec tek poetet favorite si Södergran dhe Sexton. Por atëherë shkoj në bibliotekën e qytetit dhe marr të parin libër që ma rekomandojnë bibliotekarët. Një ndryshim tjetër është fusha e studimeve. Mbas shumë vitesh studimesh në italisht, suedisht dhe në anglisht, i jam rikthyer letërsisë në shqip dhe po mundohem të lexoj të gjithë autorët bashkëkohorë që përmenden si cilësorë ndër ne.

Si e përshkruan poezinë tënde, me pak fjalë, nëse do të mund të përthekohej…

Kjo pyetje do të kishte kuptim për mua vetëm nëse ma bën brenda 10 minutave mbasi e kam shkruar një poezi. Atëherë jam ende high nga krijimi dhe me siguri mund të ta përshkruaj me zjarr. Por nuk vonon dhe shndërrohem në një lexuese si gjithë të tjerët. Dhe si e tillë shpresoj vetëm të mos jetë një poezi që shuhet me lexim të parë.

Edhe pak të kthehemi te gratë. Ndër shqiptarë, poetet gra e kanë marrë hisen e tyre të diskriminimit ndër vite. Një libër që e lexova thotë “Gratë që lexojnë janë të rrezikshme”. A po fuqizohet sot gruaja shqiptare, a është “e rrezikshme” sepse po lexon e po shkruan më shumë?

Për shoqëritë tona patriarkale gruaja nuk ka nevojë të lexojë për t’u konsideruar e rrezikshme, gruaja lind e rrezikshme. Por gratë poete dhe shkrimtare e fuqizojnë letërsinë, se i japin atë plotni për të cilën ka nevojë. Kur gruaja e shkruan vetë letërsinë e vet, atëherë nuk na shëtisin më nëpër rreshta vetëm vashëza leshverdha dhe nëna heroina. Por nuk besoj se mjafton leximi a shkrimi për të fuqizuar gratë. Pavarësia ekonomike e fuqizon gruan, vetëm ajo e çliron prej konteksteve kushtëzuese që e detyrojnë t’i nënshtrohet vullneteve të të tjerëve.

“Mua më shqetëson fakti se kjo letërsia jonë nuk po di me endë pëlhure cilësore. Se kemi mbetë tezgjahesh të lagjes….” A ma shpjegon pak më shumë këtë pjesë?

Është diskutimi për provincializmin. Kam frikë se provincializmi është lluca që nuk e lë letërsinë shqiptare të bëjë përpara. Jemi pak dhe sillemi e përsillemi të gjithë në të njëjtin kontekst. Kjo na çon pashmangërisht në mungesë sinqeriteti, në një letërsi prej kartoni ngjyra-ngjyra që rrëzohet me frymën e parë të leximit. Këtu do të na ndihmonte një Shqipëri e bashkuar me letërsi shqiptare pa ndarje kufijsh. Mendoje çfarë transfuzioni gjaku të freskët do t’i jepte letërsisë kjo.

Në letërsinë e lagjes e kemi të pamundur edhe të kemi kritikë letrare prej vërteti, se njihemi të gjithë. Nganjëherë më vjen të nis një blog anonim ku të botoj shkrime kritike, pa llustra e frymëzime klanesh. Ose do t’ua çoja librat e Tiranës kritikëve të Prishtinës dhe anasjelltas.

Të gjithë dojnë me e ndryshu botën
të gjithë
në këtë botë
zemrat s’kanë rehati

disa dojnë me e ndryshu
pse e kanë zemrën të gjanë
të lumtun s’munden me kenë
në nji botë të padrejtë

disa pse zemrën e kanë të vogël
ndërsa mendojnë se janë njerëz të mëdhenj
e paqe s’munden me gjetë
në nji botë që u dha tjerëve
çka ata e deshtën vetë

disa s’janë njerëz hiç
e zemër hiç nuk kanë
botën dojnë me e vra
pse tjerët
janë

disa pse kanë veç zemër
e vuajtje
jetojnë me gjak jashtë
zemërkuq
zemërblu
zemërbardhë
a zemërzi
e bota asht bojëqiell

unë jam njeri i thjeshtë
botën e kisha ndryshu
ti me fjetë i patrazuem
në krahët e mij.

*

Te Entela, a ka më shumë poezi, prozë, studim, përkthim… ?

Studime patjetër se me to ha bukë. Poezi, sa kohë të mbajë damari. Proza nuk më ka trokitur ende në derë. Përkthimet i kam për relax mbas pune, por është punë që kërkon kohë, që nuk e kam. Përkthimet kërkojnë mandej edhe një modesti që unë nuk e kam. Për mua autori është i shenjtë dhe detyra e përkthyesit është të ndihet sa më pak. Përkthyes i mirë është ai që nuk vihet re, që e lejon veprën të lexohet në gjuhën e re sikur të ishte në gjuhën origjinale.

Dhe krejt në fund, një ditë e zakonshme e Entelës, por edhe planet e saj në fushën e letërsisë e poezisë, aty ku po shkëlqen më shumë….

Punë punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë. Dhe a nuk vdiq edhe Naimi në mërgim?

Të fundit

Të ngjajshme