11 Gusht, 2025 - 9:21 am
Zef Skiroi (Hora e Arbëreshëvet, 10 gusht 1865 – Napoli, 17 shkurt 1927) ishte poet, gjuhëtar, folklorist, etnograf, gazetar dhe publicist i shquar arbëresh.
I lindur në Horën e Arbëreshëve, Skiroi nisi krijimtarinë në moshë të hershme, duke shkruar në moshën 9-vjeçare një poezi kushtuar Skënderbeut. Në vitin 1887, bashkë me Françesk Petën, themeloi në Palermo revistën “Arbëri i ri”, që u bë tribunë e rëndësishme e identitetit dhe krijimtarisë arbëreshe.
Pas studimeve për drejtësi, ai u emërua docent i letërsisë antike në Liceun “Garibaldi” të Palermos dhe më pas mori drejtimin e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Institutin Mbretëror Oriental të Napolit.
Ndër veprat e tij më të njohura janë “Mili e Hajdhia”, “Te dheu i huaj” dhe “Mino”, ku çështja kombëtare qëndron në qendër. Eqrem Çabej e ka cilësuar “Te dheu i huaj” si një himn kombëtar për shqiptarët e Italisë.
Zef Skiroi u shua në Napoli më 1927, duke lënë pas një trashëgimi të pasur letrare dhe kulturore që vijon të frymëzojë brezat./KultPlus.com