223 vite nga lindja e përpiluesit të abetares së parë shqipe, Naum Veqilharxhi

6 Dhjetor, 2020 - 10:57 am

Sot janë bërë 223 vjet nga lindja e rilindasit kombëtar i cili punoi pa rreshtur për çështje atdhetare, Naum Veqilharxhi, shkruan KultPlus.

Ai ishte ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare, një mendimtar i shquar, iluminist dhe veprimtar i shkollës shqipe.

Veqilharxhi lindi në Vithkuq të Korçës, për të kaluar pastaj një pjesë të jetës në Moldavi. Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e eteristëve në Rumani kundër pushtuesit osman, bashkë me shqiptarë të kolonisë së atjeshme.

Iu kushtua çështjes së Çlirimit të Shqipërisë, duke u udhëhequr nga ideja themelore iluministe se një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruajë gjuhën amtare dhe po të përhapen arsimi dhe kultura kombëtare.

Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer ndasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes.

Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e shumta që pati, e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri Evëtar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”.

Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri.

Si intelektual i kohës, Veqilharxhi e kuptoi rëndësinë e shkollimit në gjuhën shqipe dhe rrezikun e humbjes identitare nga shkollat e puhtuesve, andaj punoi parreshtur për këtë mision.

Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Vdiq në Stamboll, i helmuar nga Patrikana. Me punën dhe përkushtimin e tij mbeti një figurë e shquar shqiptare, që përherë do të qëndroj tok me përpjekjen kombëtare në historinë e popullit tonë.  / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme