521 vjet nga vdekja e poetit arbëresh Mikel Maruli

11 Prill, 2021 - 11:58 am

Sot shënohet 521-vjetori i vdekjes së poetit të periudhës së Rilindjes, Mikel Maruli (1453-1500), i njohur në latinishte si Michaelis Marullus. Sipas historianëve, mendohet se ai ka lindur nga një familje greko-shqiptare me prejardhje nga Moreja, pak muaj pas rënies së Konstandinopojës.

Familja e tij iku në Raguzë (Dubrovnik), ku që në vogëli, ndjeu ndikimin e qytetërimit të Rilindjes italiane. Maruli është autor i katër librave me epigrame latine, mjaft prej tyre të mbrujtura me një notë melankolie, si dhe i katër librave me ‘himne për natyrën’, në të cilët ai, me një stil lukrecian, ngre lart forcat mitologjike të natyrës.

Ai nuk ishte aspak indiferent ndaj politikës. Me të marrë vesh se atdheu, tanimë i marrë nga osmanët rrezikonte të “bënte shokë”, rrokë armët dhe shkon në luftë deri në brigjet e Detit të Zi, luftë që detyrohet ta lërë pasi merr vesh se i vëllai Gjoni dhe e ëma Efrosinë kishin ndërruar jetë.

Vihet re që herët si poet dhe poezia e tij vlerësohet shumë e botohet, para e pas vdekjes së hershme e aksidentale. Maruli, për të cilin Sandro Botiçeli na ka lënë një portret klasik rilindës, u mbyt aksidentalisht në lumin Cecina, më 11 prill 1500. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Të ngjajshme