70 vite nga vdekja e autorit të romanit ‘Sikur të isha djal’, Haki Stërmillit

17 Janar, 2024 - 10:13 am

Haki Stërmilli (17 maj 1895 -17 janar 1953) ishte shkrimtar, gazetar, kryetar i shërbimit sekret shqiptar me dekret të Ahmet bej Zogollit në atë kohë, partizan në Luftën e Dytë Botërore, anëtar i KANÇ-it, përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

U lind në Dibrës ku mori mësimet e para, shkollimin e mesëm e nisi në Manastir por nuk mundi ta përfundojë për shkak të Luftës Ballkanike. Mbasi qyteti i Dibrës mbeti jashtë kufijve, Hakiu u vendos në Shqipëri dhe nisi punë si pjesë e administratës shqiptare. Në vitet 1915-1918 punon si sekretar krahinor në Mat dhe Peshkopi, pastaj si sekretar i parë i nënprefekturës së Matit, e gjithashtu mësues personal i motrave Zogolli.

Në vitet 1920-1924 u përfshi në lëvizjen demokratike, më 2 shkurt 1922. Ai u dekretua më 16 janar 1923 si sekretar i Sekretarisë Sekrete. Ndërsa si kryetar i Sekretarisë Sekrete, Hakiu qëndroi deri më 16 prill 1924, e u largua përfundimisht pas largimit të Zogollit dhe emërimit të Shefqet bej Vërlacit kryeministër dhe Ministër i Brendshëm.

Pas Lëvizjes së qershorit, Hakiu merr pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh sekretar i shoqatës dhe ku u rivendos Ll. Fundo kryetar. Me rikthimin e Zogollit dhe Triumfin e Legalitetit mërgon drejt Italisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Lituanisë. Për një vit qëndroi në Bashkimin Sovjetik ku u takua edhe me Ali Kelmendin, bashkëpunoi edhe me KONARE-n. Më 1927 gjendet në Jugosllavi, ku qëndron në Manastir. Këtu më 17 mars 1929 në rrethana jo krejtësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav. I dorëzohet autoriteteve shqiptare në Bilisht, e vendosin në Korçë dhe pak ditë më pas në Tiranë ku e shoqërojnë në burg.

Më 31 korrik 1943 ishte hedhur në ilegalitet, kur kishte qenë në Tiranë. Më vonë do të zgjidhej në organet paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga mbledhja e Labinotit në shtator 1943 e deri në anëtar i dalur nga kongresi komunist të Përmetit. Përfaqëson lëvizjen komuniste në mbledhjen e Mukjes. Më 28 maj 1950 u zgjodh deputet. Pas 1945 ishte kryetar i Frontit Demokratik dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv për Qarkun e Peshkopisë. Vdiq më 17 janar 1953 i sëmurë pas një lëngate të gjatë, duke qenë edhe deputet i Rrethit të Peshkopisë në Kuvendin Popullor.

Në shtyp dhe botime mbajti qëndrime lidhur me të drejtat e shqiptarëve të ngelur jashtë kufijve të shtetit shqiptar, republikanizmit dhe të drejtave të femrave.

Ishte autor i tre romaneve, mbi 30 tregimeve të shkurtëra, pesë pjesëve teatrale, dy ditareve dhe disa dyzina artikuj publicistikë. Vepra e tij më e njohur është Sikur t’isha djalë (1936).

Romani Sikur të isha djalë është ndoshta i vetmi roman “më i shitur” me ribotimet periodike nëpër vite. Romani është një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti. Ai zgjoi kërshëri dhe luajti një rol të pazëvëndësueshëm në masën e lexuesve në të gjitha trevat shqiptare. Në vitet ’30, në vitet ’50 dhe deri në dhjetëvjeçarin e parë të shek. 21, romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord të paarritshëm në historinë e letrave shqiptare. Romani “vë gishtin” në një lëmi të ndjeshme në jetën shoqërore shqiptare – tragjizmin e jetës së femrës./KultPlus.com

Të ngjajshme