77 vjet më parë u botua libri i fundit i Musine Kokalarit

18 Janar, 2022 - 5:30 pm

Musine Kokalarai është një nga mendjet dhe penat më të ndritura femërore shqiptare deri më sot. Ndonëse një grua e jashtëzakonshme ajo nuk pati shumë kohë në dispozicion për të krijuar, por ato pak vepra që la janë padyshim tekste të çmuara të kohës. Një prej tyre është edhe libri i tretë dhe i fundit i saj. Pikërisht 77 vjet më parë, në janar 1945, doli nga shtypi libri “…sa u tunt jeta”.

“…sa u tunt jeta” nuk ishte vetëm përshkrimi i dasmës tradicionale, ritualit më të rëndësishëm jetësor, dhe as vetëm një punim i rrallë etnolinguistik. Mes përshkrimit të atmosferës festive dhe të zhurmshme të dasmës, që përfshinte gjithë komunitetin, mungojnë zërat e dy të rinjve që do të lidhen në martesë. Ky libër është një klithmë.

Sipas Musinesë: “…sa u tunt jeta” është ëndrra e shkurtër e pak ditëve të vajzës gjirokastrite që pas asaj, ajo vihet ndënë thundrën e vjehrrës, rron ndënë tmerrin e vjehrit, me frikën e burrit që fjala e tij është urdhër për të.”

E lindur në Adana (Turqi) në gjirin e një familjeje gjirokastrite në vitin 1920 u kthye së bashku me familjen në Shqipëri, ku nisi shkollën fillore në Gjirokastër. Familja e saj u vendos në Tiranë nëntë vite pasi u rikthyen në Atdhe. Vëllai i saj, Veisimi, kishte një librari në kryeqytet në mesin e viteve ’30.

Më 1937 mbaroi Instituti Femëror “Nana Mbretneshë” dhe më pas vijoi studimet në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941 me një temë diplome për Naim Frashërin. Së bashku me Mit’hat Aranitin dhe miq të tjerë, themeloi më 1943 Partinë Social-Demokrate.

Pas Luftës së Dytë Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova që të merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve.

Vepra e saj e parë, “Siç më thotë nënua plakë” botuar në të përjavshmen politike e letrare “Bota e re”, më korrik të vitit 1940, ishte në fakt një hartim i bërë në klasat e larta të Institutit Femnor. Pasi u botua u përcoll nga një kritikë prej Lasgush Poradecit më 30 të atij muaji

Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”.

Musine Kokalari do të arrestohej më 17 janar 1946 dhe më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit.

Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Musineja punoi fshesare dhe 11 vjet në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe betonit. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme