90 vjeçarja yll në Instagram: Unë kurrë nuk kam kërkuar përsosmërinë, por lumturinë

24 Tetor, 2020 - 11:57 am

Yll i Instagramit dhe gjyshe, 90-vjeçarja promovon në një librari, autobiografinë.

Ajo tregon për HuffPost, dëshirën e saj për të hequr çdo stereotip, për moshën e vjetër dhe më shumë: “Më shqetëson kur thonë: “Licia, je akoma një grua e bukur”. Po çfarë do të thotë kjo “akoma”? A ka ndonjë moshë pas të cilës, nuk mund të jesh më e bukur?”

Nëntëdhjetë vjeçe, flokë të bardhë, veshje shumëngjyrëshe, buzëqeshje verbuese e dikujt që ka njohur fuqinë e jetës, në ulje-ngritjet e saj dhe që është e vendosur të vazhdojë ta shijojë atë në maksimum. Deri në fund.

Kjo është Licia Fertz, gjyshja më e famshme në Instagram, me mbi 103,000 ndjekës. Në vitin 2018, në bashkëpunim me nipin e saj, Emanuel, ajo u shfaq në rrjetin social, duke fituar zemrat e shumë ndjekësve dhe duke u bërë shumë shpejt, burim frymëzimi.


Sot, gjithmonë së bashku me Elon e saj të dashur, ajo ka shkruar një libër për historinë e saj. Titulli është “Nuk ka kohë të trishtohesh” dhe mund të ishte ndryshe. Nga ana tjetër, është një nga motot e saj: “Në këtë jetë që po kalojmë të gjithë, nuk ka kohë për t’u trishtuar. Jepni dashuri dhe jini mirënjohës!”.

Ajo shpjegon me entuziazëm: “Në këtë fjali, është e gjithë jeta ime. Kam jetuar gjithçka dhe më shumë, kam humbur bashkëshortin, pas 62 vitesh martesë dhe vajzën time të vetme, kur nipi im ishte vetëm katër vjeç e gjysmë. Kuptimi është që të gjithë jetojmë momente të trishtuara, por gjithmonë ekziston një mënyrë për t’u ngritur. Gjithmonë. Për sa kohë ka frymë, ka shpresë, mos hiq kurrë dorë, sepse jeta vazhdon”.

Me fjalën e saj magnetike, Licia dërgon mesazhe të fuqishme çdo ditë, drejtuar kujtdo, pavarësisht moshës. Drejtuar gjithashtu atyre si ajo, e ashtuquajtura “e vjetër”. Fakti është se nuk është e vërtetë që të moshuarit duhet të largohen dhe të zhduken dhe është e kotë të ankohen dhe të kthehen pas në të kaluarën, sepse të jesh i lumtur çdo ditë është një zgjedhje.

“Kur të shkoni nëntëdhjetë vjeç – shkruan ajo në libër – të mendosh për të kaluarën mund të jetë e rrezikshme, sepse mund të të pushtojë trishtimi. Të mendosh për të ardhmen, nuk është gjithashtu e lehtë, kur perëndimi i diellit është më afër agimit. Mënyra drejt lumturisë është të shohësh të tashmen. Gëzuar Vitin e Ri është për vajzat, Gëzuar Vitin e Ri është për zonjat”.

Të mos kesh frikë nga plakja, është një nga qëllimet e saj. “Shumë prej jush më shkruajnë se, kur të  plaken, dëshirojnë të jenë si unë. Por a keni menduar, kur plakeni? – pyet ajo ndjekësit. – Plakesh, sepse bëhesh pjesë e të kaluarës? A jeni i ri, sepse keni një të ardhme? A funksionon kështu? Për mua, ndryshimi është një tjetër: të moshuarit strehohen në të kaluarën, të rinjtë kanë ëndrra dhe projekte ku mund të gjejnë strehohë. Nuk është çështje moshe, më besoni”.

Përveç përsëritjes se “pleqëria nuk është faj”, Licia përsërit – nëse ka qenë ndonjëherë e nevojshme – se “gratë nuk skadojnë”. “Nëse ka një gjë që më shqetëson vërtet – thotë ajo – është kur më thonë: “Licia, ti je akoma një grua e bukur”. Po çfarë do të thotë kjo “akoma”? A ka ndoshta një epokë pas të cilës, nuk mund të jesh më e bukur?”.

Duke u argëtuar, duke veshur rroba ekstravagante, apo kostum, ajo demonstron se përsosmëria është një koncept i padobishëm dhe se bukuria e vërtetë, është diku tjetër. “Bukuria – na thotë ajo – është ajo e shpirtit, ajo që zbulohet ngadalë, duke folur me një person, duke i dhënë vetes kohë për ta njohur atë. I bukur është ai që realizon veten, i cili ndihet i lirë të jetë ai që është. Tani jam argëtuar dhe ndihem vërtet e bukur”.

Ajo nuk ka frikë të duket natyrale, të tregojë rënien e lëkurës, papërsosmëritë e moshës së saj. Madje, as për t’iu përgjigjur ndjekësve në mëngjes, e çrregullt, ndoshta pa make-up: “Po pse duhet të turpërohem? Turp për çfarë? Unë jam e tillë. Gjithmonë them, se turpin duhet ta ndiejnë ata që vjedhin dhe ata që dëmtojnë”.

Dhe në Instagram, gjyshja Licia shton: “Ka dy lloje grash. Ato që tmerrohen kur zbulojnë se kanë dhëmbë të ndotur në buzëkuq dhe ato si unë, që qeshin me këtë. Unë kurrë nuk kam kërkuar përsosmërinë, por lumturinë dhe ua rekomandoj të gjithëve. Jeta vetë mund të jetë shumë e komplikuar, le ta shmangim vetëm komplikimin e saj”.

Me guximin e atyre që nuk kanë frikë të thonë atë që mendojnë, zonja Fertz thyen një stereotip pas tjetrit dhe nuk i mungon mundësia për të dhënë mendimin e saj, veçanërisht për tema “të pakëndshme”, siç është ajo e amësisë. “Shumë grave u bëhet pyetja: kur do të bësh fëmijë? Por, kjo është një pyetje kryekëput injorante.

Të kesh një fëmijë, sot është luks. Ka nga ato që përgjigjen: Atëherë, si kanë vepruar gjyshërit tanë në të kaluarën, me gjithë ata fëmijë?’ Unë u them se është e vërtetë, kishte shumë fëmijë në atë kohë, por nga pesë, tre mbijetuan dhe mbase dy vdiqën. Për të pasur një fëmijë, duhet të jesh gati”.

Për amësinë, Licia gjithashtu shkruan në librin e saj, duke treguar se kur burri i saj “donte të kishte një fëmijë, madje menjëherë”. “Ai tha se unë isha nëna perfekte për trashëgimtarët e tij, se ai kishte një punë të paguar mirë dhe se ne gjithashtu, mund të mbështetemi te prindrit dhe gjyshërit e mi, të cilët, pa na kërkuar gjë, kontribuan për të na bërë të jetojmë me një mirëqenie përtej mundësive tona. Por, nuk isha gati. Të paktën, në situatën në të cilën ne po jetonim”.

“Nuk e përjashtoja të qenit nënë një ditë, por nuk doja të isha “me profesion”- vazhdon ajo. – Kisha studiuar, madje shumë. Doja t’i provoja vetes, se një grua mund të jetë një nënë e shkëlqyer, ndërsa nuk heq dorë nga ambiciet e saj. Aldo u përgjigj se gjithçka ishte në rregull me të, përderisa nuk e braktisa kurrë.

Sa shumë e kam dashur atë, në atë moment. Mendova se e jona, ishte ndërthurja më e mirë e shpirtrave në histori. Ai më dha vetëm beteja të rëndësishme të fituara, duke më lënë të gatuaja supën time, kur isha e mërzitur. Nga ana tjetër, kur bëhej fjalë për vendime të rëndësishme, ishim bashkë. Askush nuk mund të ndikonte. Mendonte dhe reflektonte me kujdes për gjithçka dhe mendja e tij, më magjepsi. Më bindi, se ishim vetëm ne që vendosnim për lumturinë tonë dhe nuk na mungonte asgjë”.

Vdekja e Aldos, i cili për ironi u largua në të njëjtën ditë me datëlindjen e të dashurit të saj Emanuele, si dhe vdekja e vajzës, e mësoi Lician të mos vritej sërish. Falë nipit të saj dhe falë fuqisë së rrjetit, ajo është kthyer përsëri në jetë. Dhe për të qeshur. Sepse – siç shkruan ajo në libër – kur jeni në zi “së pari derdhim lot në shpatullën e njëri-tjetrit, duke e lënë veten të shpuar nga lotët e dhimbjes dhe të të tjerëve.

Pastaj, dikush ndalon së qari. Ka nga ata që tërhiqen në heshtje dhe nga ata që nxjerrin tym, duke derdhur zemërim mbi këdo. Më në fund, alternojmë mes heshtjes dhe mllefit derisa, si me magji, dikush shpërthen në të qeshura. Të gjithë e ndjekin dhe nuk mund të ndalojnë së qeshuri më. Në ato momente, nuk është e rëndësishme të dini pse jeni duke qeshur, por të dini se jeni akoma në gjendje ta bëni këtë”.

Të ngjajshme