Veseli: Demaçi do të rrojë sa të ekzistojë ky popull

26 Korrik, 2018 - 7:21 pm

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar takimin e tij të fundit me Adem Demaçin, simbolin e rezistencës kombëtare që vdiq sot, pas një sëmundje të rëndë.

“Me 17 shkurt të këtij viti, isha për vizite të Baca Adem për t’ia uruar përvjetorin e 10-të pavarësisë. Ndonëse i sëmurë, në asnjë moment nuk tregoi shenja dobësimi. I fortë dhe plot vullnet si gjithmonë. E patëm lënë të takoheshim sërish, por kësaj here në Kuvendin e Kosovës. Fati nuk e deshi që ai të vinte. Por, Adem Demaçi do të rrojë me ne, derisa të ekzistojë edhe ky popull, për lirinë e të cilit ai barti mbi supe vuajtjet dhe përpjekjet më të mëdha”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se jo vetëm Kosova, por mbarë kombi shqiptar është i tronditur sot nga humbja e një ndër bijve më të shquar.

“Me kurajën, sakrificën dhe atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai u bë simbol i rezistencës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri e barazi në trojet e veta. Vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë. Lamtumirë Adem Demaçi, heroi i Kosovës, frymëzimi dhe krenaria jonë. Ngushëllime, Kosovë”, ka shkruar Veseli./KultPlus.com

Të ngjajshme