25 Korrik, 2025 - 3:00 pm
Naim Berisha
A thua se s’qenkam, thjesht, një gur i lehtë
Nga xhepi nxjerr çelsin e portës
Dhe fletët e saj hap qetë e qetë
A thua se s’qenkam i udhëve të botës
A thua se s’qenkam, thjesht, një gur i lehtë.
Se gurët e rëndë në atdhe qëndrojnë
Atje bëjnë kalanë çdo ditë e më shumë
Për gurët e vegjël, me mall mendojnë
Për gurët e ikur, nuk vënë sy në gjumë.
Gurët e shtëpisë më kujtojnë humbaq
Ndoshta edhe drurët, mund të më bëjnë me faj
Iku, thonë, humbi, u zhduk dhe aq…!
Ndërsa une, për ta, jam gati të qaj.
Unë që kam kënduar për zogjtë dhe lulet
Dhe falle kam shtije me vijat e pëllëmbës
Ylberë kam shkrepur për dhëndërit e nuset
Kam ngritur poema për hiret e nënës.
Për blunë valëvitëse të qiellit t’atdheut
Sa shumë kam mall, brengë e dashuri!
Për gurët e rëndë dhe baltën e dheut
Për gjithë çfarë ecën në Shqipëri…
Mirë te gjeça vendlindje, zemërëmbël!
Jam une, i rrezuari në dashurinë tënde.
Ç’ke qenë, ç’je dhe ç’do të jesh është ëndërr
është mënyra kryelartë e jetës prej ëndrre.
Nga xhepi nxjerr çelsin e portës
Kanatat e saj, mbyll qetë e qetë
Unë, humbaqi, i udhëve të botës
A thua se s’qenkam, thjesht, një gur i lehtë.