Abdyl Frashëri, ideologu e atdhetari i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare

29 Gusht, 2021 - 1:58 pm

Kujtojmë sot në ditën e lindjes një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, Abdyl Frashëri.

Si sot, më 29 gusht 1839, në Frashër të Përmetit lindi Abdyl Frashëri biri i Halid beut. Emrin e vërtetë e ka Abdullah Hysni. Është një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare. Është shquar si personalitet politik gjatë Krizës Lindore, në shek. XIX. Në Parlamentin e Parë Osman të vitit 1877 hyri si deputet i Janinës; u zgjodh kryetar i Komitetit të Janinës (1877) dhe në dhjetor të po këtij viti u zgjodh kryetar i Komitetit të Stambollit, që u formua për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Perandorinë Osmane.

Në vitin 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare që u formua në Stamboll si dhe ishte kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës. Pas thyerjes së ushtrisë osmane nga ushtria ruse në vitin 1878 dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, A. Frashëri shtroi tezën se në kushtet e krijuara për shqiptarët, zgjidhja më e drejtë për interesat e tyre kombëtare ishte krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadër të Perandorisë Osmane.

Abdyl Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë për mbajtjen e Kuvendit të Prizrenit në vitin 1878. Ai u ngarkua nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për të mbrojtur çështjen shqiptare pranë qeverive të Fuqive të Mëdha. A. Frashëri mori pjesë në kuvendet e Dibrës, Prevezës dhe Gjirokastrës. Në janar të vitit 1881, u zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Ymer Prizreni.

Autoritetet osmane e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, dënim që u kthye më pas në burgim të përjetshëm. Vdiq në Stamboll më 23 Tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. / KultPlus.com

Të ngjajshme