“Admovere”sjell raportin “Strategjitë në fushën e arsimit të lartë në Kosovë”, publikohet nesër

30 Nëntor, 2021 - 3:23 pm

«Strategjitë në fushën e arsimit të lartë në Kosovë», është raporti i fundit i botuar nga ADMOVERE, raport që është mbështetë nga KFOS, e që do të prezantohet  më 01 dhjetor 2021 (nesër) në orën 13:00 në hapësirat e KultPlus Caffe Gallery (rruga Isa Boletini, Soliteri 3/2-1, te Fontana në Ulpianë).

Nga Admovere është bërë e ditur se raporti ka për qëllim që të analizojë dhe krahasojë trendet e vlerësimit të problematikave në arsimin e lartë në aspektin institucional. Më konkretisht, hulumtimi përqendrohet në pesë indikatorë:

transparenca dhe llogaridhënia, 

puna shkencore,

gjithëpërfshirja,

ndërlidhja e programeve të studimit me tregun e punës, dhe

akreditimi.

Raporti krahason dhe shqyrton objektivat e përcaktuara dhe nivelin e përmbushjes së tyre në mes të të gjitha strategjive (dhe planeve të veprimit) të arsimit të lartë në Kosovë, të nxjerra nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), dhe në mes të strategjive universitare (dhe raporteve vjetore) të Universitetit të Prishtinës (UP). Për nevojat e këtij hulumtimi, me theks të veçantë janë shqyrtuar Strategjia Kombëtare për Zhvillim (SKZH) dhe udhërrëfyesi për zbatimin e saj, Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë (PSAK) 2017-2021 dhe Plani i Veprimit, Planet Strategjike të UP-së 2017-2019 dhe 2020-2022. Për të vlerësuar zbatimin e strategjive, me fokus tek indikatorët e lartpërmendur, janë shqyrtuar më hollësisht rastet e tre fakulteteve të UP-së, përkatësisht Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Fakulteti i Edukimit dhe Fakulteti i Filozofisë./ KultPlus.com

Të ngjajshme