Ag Apolloni këtë javë i sjell lexuesit romanin “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”

24 Tetor, 2022 - 11:50 am

Me një fjalor të pasur, që është një pasuri për çdo  shkrimtar, dukë përfshirë terma interesantë e duke i dhënë vëmendje detajeve, më përkushtim e çiltërsi, shkrimtari Ag Apolloni di të ngacmojë mendjen e lexuesit qysh në titull, shkruan KultPlus.

Askujt nuk i pëlqen të lexojë gjëra klishe dhe si duket Apolloni ka një kujdes të shtuar për këtë pjesë. Këtë e dëshmon edhe me romanin e tij më të ri që po e sjell për lexuesit këtë javë.

I titulluar “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, Apolloni po i sjell në dorë lexuesit një vepër që sipas tij nuk është një roman dokumentar, por as një përrallë e pastër.

Romani me rreth 200 faqe, do të jetë një version i “Kësulëkuqes”, në të cilin luan rol edhe lufta e Kosovës e përjetuar nga Apolloni, si dhe dhuna ndaj grave gjatë luftës.

Sipas Apollonit, ky roman flet për një Kësulëkuqe koketuese dhe një Ujk të sëmurë. Është një histori dashurie dhe një shëtitje nëpër pyllin magjik të tregimtarisë, ku personazhet futen shtigjeve të mitologjisë, përrallës, religjionit dhe animacionit. Ulërimat dhe psherëtimat, lehjet dhe blegërimat vijnë si një përballje alegorike që zgjon jehun e egërsisë brenda nesh.

Ky është një rrëfim që përdor “cartoon logic” brenda artit kombinatorik, ku ndërfuten elemente teatrore, filmike dhe muzikore; është një prozë që ka poezinë dhe dramën brenda.

I vendosur në një vend të vogël të kontinentit që e ka marrë emrin nga një femër e përdhunuar, ai flet edhe për përdhunimet gjatë luftës në Kosovë, dhe për pasojat e tyre në paqe.

“Romani është ndërtuar si një shëtitje filozofike nëpër një botë sa reale, aq edhe përrallore. Ky nuk është roman dokumentar, as përrallë e pastër”, thotë Apolloni. / KultPlus.com

Të ngjajshme