Ahmeti ia dorëzon “Çelësin e Qytetit” shkrimtarit francez, Mathias Enard

17 Tetor, 2018 - 12:56 pm

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i ka dorëzuar “Çelësin e Qytetit” shkrimtarit francez, Mathias Enard.

Kreu i Prishtinës tha se është nder që një shkrimtar si Enard ta kenë në Prishtinë. Ahmeti tha se janë duke u munduar që të ruajnë librin në kohën kur teknologjia është duke u zhvilluar çdo ditë e më shumë.

“Nder i madh që të ju kemi ne Prishtinë. Është një luftë e vazhdueshme që po bëhet për ta mbajt librin aty ku e ka vendin. Në botën e teknologjisë leximi i shpejtë po mundohet me zëvendësuar librin. Megjithatë librin nuk mundet me zëvendësuar askush dhe gjithmonë po e bëjmë këtë betejë edhe në sheshet tona duke iu mundësuar librashitësve që me shit librat”.

“Kur më ka treguar që ju po vini në Prishtinë isha shumë i lumtur që një shkrimtar i kalibrit tuaj vjen e na viziton. Ne kemi diskutuar për promovimin që i bëhet Prishtinës në një nga novelat e juaja. Sot dëshirojmë të ju falënderojmë edhe që keni ardhur edhe që e vendosni Prishtinën në hartë në literaturë”, tha Ahmeti.

Shkrimtari Mathias Enard tha se ka kohë që ka dëshiruar të vizitojë Prishtinën, raporton EO. “Ka kohë të gjatë që kam pas dëshirë ta vizitoj Prishtinën”.

Abdullah Zeneli, nga shtëpia botuese “Buzuku”, tha se shpreson që shkrimtari francez të fitoj çmimin Nobel e këtë ta arrij me një libër që flet për Prishtinën.

“Uroj që shumë shpejt ta marrë edhe çmimin Nobel. Nëse do të jetë shkak një libër për Prishtinën do të ishte kënaqësia më e madhe”, tha Zeneli.

Enard nga ora 10:30 do të mbajë ligjëratë me titull “Meqenëse ata janë qenie njerëzore” në Departamentin e gjuhës dhe letërsisë frënge në UP. Ndërkaq nga ora 14:15 ai do të mbajë takim të hapur me nxënësit e shkollave të mesme ne Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare./ KultPlus.com

Të ngjajshme