Akademia e Shkencave përkujton Robert Elsien, përhapësin më të madh të kulturës shqiptare

4 Tetor, 2017 - 3:57 pm

Më 2 tetor 2017 vdiq luftëtari, intelektuali, studiuesi frymë gjatë i gjuhës dhe kulturës shqiptare, përhapësi i pashoq i veprave të saj, prezantuesi i historisë së dokumentuar të popullit shqiptar, përkthyesi i letërsisë shqipe në gjuhët angleze dhe gjermane si dhe miku i madh të botës shqiptare, albanologu Robert Elsie.

Kështu është vlerësuar figura e akademikut Robert Elsie, në akademinë përkujtimore të mërkurën ku është përkujtuar dhe nderuar veprimtaria e tij.

Me këtë rast është vlerësuar kontributi i tij i jashtëzakonshëm për kulturën shqiptare, të cilën e ka bërë të njohur me përkthimet e tij anekënd botës. Kryetari i Akademisë së Arteve dhe Shkencës, Hivzi Islami, ka çmuar lart figurën e albanologut Robert Elsie, për të cilin tha se ishte studiues i gjithanshëm dhe mik i pranishëm në shumë aktivitete duke dhënë kontributin e tij në çështjen e Kosovës. Përkthimet e shumta të Robert Elsie e veçanërisht ai i veprës “Lahuta e Malcis”, sipas Islamit kanë bërë që shumë të huaj të njihen me kulturën dhe historinë e shqiptarëve.

“Veprimtaria e doktor Elsie dhe interesimet e tij për gjuhën, letërsinë, historinë dhe traditën shqiptare, janë aq të gjera sa ndonjëherë kapërcenin edhe kushtin disiplinor. Kërkimet e tij në arkiva dhe dokumente të hershme, ai mblidhte, sistemonte dhe publikonte kontribute të veçanta gjuhësore, historiografike, etnografike deri tek zhvillimet më të reja të artit dhe letërsisë tonë. Veçanërisht për ne janë të rëndësishme interesimet e tij për Kosovën, studimet e gjithanshme dhe përkthimet e autorëve tanë në gjuhë të huaja. Janë shumë botime të përgatitura nga doktor Elsie që panë dritën edhe tek botuesit kosovarë në shqip apo në anglisht, gjermanisht, frëngjisht dedikuar lexuesve të huaj apo komunitetit ndërkombëtar në Kosovë. Doktor Elsie mbetet pa dyshim përhapësi më i madh i kulturës shqiptare në botë”, tha ai.

Akademiku Rexhep Ismajli ka thënë se vdekja e albanologut Robert Elsie ishte e papritur dhe ndodhi në kulmin e zhvillimit të tij intelektual, ndërsa shuarja e tij është një humbje e madhe për albanologjinë shqiptare. Ai ka shtuar se veprimtaria e Robert Elsie ka rëndësi të madhe jo vetëm për albanologjinë por edhe historinë, shkruan Koha.

Ismajli me këtë rast ka theksuar se Elsie, edhe në ditët e fundit të tij ishte marrë me shqiptarët duke dërguar vlerësime për Konferencën Shkencore të Akademisë së Arteve dhe Shkencave në Kosovë.

“Roberti nuk përtoi të çonte mesazh vlerësues për përgatitjet e Konferencës, por njëherësh ishte në spital dhe nuk e dinte nëse do të mund të vinte vet. Vetëm tri ditë pas kësaj na erdhi kumti i zi, krejt i papritur dhe në valën e aktivitetit të tij, në kulmin e pjekurisë intelektuale me horizont të pritjes reale për shumë vepra me vlerë që do të na sillte.

”Nuk duhet të harrohet as ndihmesa e tij e drejtpërdrejtë për afirmimin e çështjes së Kosovës. Nuk ka dyshim se gjithë punën e tij albanologjike e shquan një dashuri e jashtëzakonshme për kulturën dhe popullin shqiptar. ” Vepra e tij do të vazhdojë të rrezatojë dritë, dije dhe informacion për botën shqiptare”, tha Ismajli.

Robert Elsie ishte anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme