Akademia e Shkencave, tryezë për studimet historike shqiptare

19 Qershor, 2025 - 12:16 pm

“Studimet historike shqiptare sot, sfida dhe probleme” titullohej tryeza e rrumbullakët e organizuar nga komisioni i përhershëm i historisë, pjesë e Akademisë së Shkencave.

Në tryezë morën pjesë kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, sekretarja shkencore e ASHSH-së, Anila Hoda, kryetari i Seksionit Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, ASHSH, Gëzim Hoxha dhe me pjesëmarrjen e anëtarëve të Institutit të Historisë, komisionit të përhershëm të historisë, profesorë e studiues të Universitetit të Tiranës, si dhe përfaqësues nga Drejtoria Qendrore e Arkivave.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi në fjalën e tij tha se tematika e kësaj tryeze të rrumbullakët trajtohet në një moment kulmor, siç është dorëzimi i veprës madhore të “Historisë së shqiptarëve” në katër vëllime, ku tashmë janë përfunduar dy vëllimet e para.

Gj8inushi vlerësoi edhe punën e historianëve të angazhuar në hartimin e kësaj vepre nën drejtimin e prof. dr. Cekës për periudhën e antikitetit; akad. Pëllumb Xhufit për periudhën e mesjetës, si dhe prof. dr. Milos e prof.dr. Dukës për vijimin e punës me dy vëllimet e tjera.

“Ky takim pune do të shërbejë në hapjen e disa rrugëve për të paraqitur “Historinë e shqiptarëve” në mënyrë të paanshme për ato çështje që ofrojnë debatet më të nxehta”, tha Gjinushi.

Kryetari i Komisionit të përhershëm të historisë, Prof. Paskal Milo u uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe falënderoi Gjinushin për praninë dhe mbështetjen e kësaj veprimtarie, në një kohë kur çështja e historisë së shqiptarëve përbën një shqetësim të vazhdueshëm me problematikat që ka e sfidat që duhet të përballojë.

Prof. Paskal Milo mbajti kumtesën me temën “Studimet historike shqiptare, sfida dhe probleme”, ku u ndal në disa aspekte të rëndësishme të problematikave dhe të sfidave që ka historiografia jo vetëm në Shqipëri, por që janë të reflektuara edhe në përvojën botërore, siç është politizimi i historisë.

“Ky fenomen shfaqet me përdorimin selektiv të botimeve, glorifikimin e disa periudhave, ngjarjeve dhe individëve historikë, dhe në denigrimin e disa të tjerave, në mohimet apo shtrembërimet e tyre, si dhe në keqinterpretimin e kontributeve përmes etiketimeve politike, në hartimin e kurrikulave dhe botimeve të teksteve shkollore, në ngritjen e komisioneve historike, si dhe në imponimin e klisheve në interpretimin e ngjarjeve dhe fakteve historike”, theksoi Milo.

Sipas tij, kjo fushë e shkencës po përballet gjithashtu dhe me krizën e burimeve arkivore, që rrjedh nga kufizimet në shfrytëzimin e arkivave, nga censura dhe mosrespektimi i afateve të deklasifikimit të dokumenteve etj, të cilat rrezikojnë të krijojnë një histori të fragmentarizuar.

Ai u ndal në çështje, si: raporti midis historisë globale dhe historisë kombëtare; roli i teknologjisë dhe i inteligjencës artificiale në historiografi; rivlerësimi i figurave historike në dritën e standardeve të sotme morale; instrumentalizimi i historisë në politikën dhe konfliktet bashkëkohore etj.

Prof. dr. Ferit Duka në kumtesën me temën “Historiografia dje dhe sot: arritje dhe probleme” dha një pasqyrim të gjendjes së historisë së sotme të shkruar në dy periudha, periudha e komunizmit dhe postkomunizmit.

Duka tha se në të dyja  periudhat partitë politike shqiptare dhe udhëheqësit e tyre kanë pasur një prirje të qartë për ta përdorur historinë në funksion të nevojës për legjitimitet dhe fuqizim të pozicionit të tyre në shoqëri.

Sipas tij, ky fenomen ka ushqyer edhe historiografinë  amatore, e cila, për fat të keq, ka qenë shumë e zëshme në media dhe në veprimtari të tjera me karakter publik.

“Sot kërkohen studime historike cilësore dhe për këtë nevojiten historianë cilësorë, me imunitet të fortë ndaj presioneve manipulative të origjinave të ndryshme. Kjo është një nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballet historiografia jonë në ditë e sotme”, shtoi ai.

Tryeza u mbyll me kumtesën “Apatia historike e brezit të ri dhe sfida e rizgjimit të ndërgjegjes kolektive” e prof. dr. Arben Cici.

Në trajtesën e tij, ai u ndal në efektet që kanë rrjetet sociale dhe teknologjia tek brezat e rinj të cilët po distancohen gjithnjë e më tepër nga e kaluara, po e perceptojnë historinë si të largët, të mërzitshme dhe shpeshherë të parëndësishme për të tashmen apo të ardhmen.

Në këtë drejtim, prof. dr. Cici propozoi disa ide për shmangien e këtyre fenomeneve negative si: reformimi i kurrikulës së lëndës së historisë; qasja e re didaktike e mbështetur në mendimin kritik dhe ndërtimin e interesit ndaj historisë; përdorimi i teknologjisë si mjet ndihmës për aplikime të realitetit virtual që simulojnë ngjarje historike, dokumentarë interaktivë e platforma të tjera; aktivizimi përmes projektit dhe kujtesës aktive; angazhimi i të rinjve  në projekte kujtese (vizita në kampe përqendrimi, monumente përkujtimore, ekspozita); shembuj dhe përvoja konkrete nga vendet e tjera etj.

Në fund të veprimtarisë, pjesëmarrësit zhvilluan diskutime rreth fenomeneve dhe çështjeve më thelbësore të trajtuara nga kumtuesit.

Të ngjajshme