Aleksandër Xhuvani, korifeu i arsimit dhe pedagogjisë moderne shqiptare

22 Nëntor, 2023 - 10:32 am

Më 22 nëntor 1961, ndërroi jetë arsimtari dhe gjuhëtari, Aleksandër Xhuvani.

Mësimet para i mori në vendlindje, në Elbasan, ndërsa për të ndjekur shkollën mesme do të zhvendosej në Vilajetin e Manastirit. Përgjatë vjetëve 1903-1906, kreu studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Athinës. Më pas, iu drejtua Italisë dhe u vendos në Shën Mitër, Koronë, ku nisi të japë mësime të gjuhës shqipe.

Xhuvani mori pjesë në Kongresin e Elbasanit dhe u caktua mësues dhe drejtues i Normales. Asokohe, iu përvesh punës për hartimin e tekstit shkollor të gramatikës shqipe. Krahas veprimtarisë në arsim përmes mësimdhënies, që e quante si “më të lartin e më fisnikun e arteve”, Xhuvani ushtroi në dhjetor 1921 edhe detyrën e ministrit të Arsimit. Po ashtu, do të kontribuonte edhe në zhvillimin e gjuhësisë.

Trajtimi i çështjeve themelore të mësimdhënies, i përmbajtjeve mësimore, si edhe i parimeve didaktike, qenë në qendër të hulumtimeve dhe studimeve të tij. Në krijimtarinë e tij të ngjeshur hasim publikime të shumta lidhur me metodologjitë e pedagogjisë, stilistikën dhe njohuritë sintaksore të shqipes, sikurse janë: “Fillime të pedagogjisë / Pjes`e parë; Psikologji e shtime në punë t`edukatës”, “Fillime të pedagogjisë/ Pjes`e dytë/ Didaktika”, “Edukatë, Libri i gjuhës shqipe”, “Njohuritë e para të sintaksës shqipe” dhe “Fillime të stilistikës dhe të letërsisë së përgjithshme”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot, një portret të prof. Xhuvanit, fragmente nga punimi i tij “Mbi pastërtinë e gjuhës shqipe”, si edhe propozimi i Ministrisë së Arsimit drejtuar Kryeministrisë për dekorimin e profesor Xhuvanit, së bashku me Mati Logorecin dhe Mirash Ivanajn. / atsh / KultPlus.com 

Të ngjajshme