17 Maj, 2025 - 10:00 pm
Në një epokë ku errësira përpiqej të mbytte gjithçka njerëzore, historia e Alice Herz-Sommer ngrihet si një dritë që nuk u shua kurrë, një himn i heshtur, i luajtur në tastierat e një pianoje mes tmerrit në ferrin nazist.
E lindur në Pragë në vitin 1903, në një botë që i jepte frymë kulturës dhe mendimit, Alice u rrit në një familje intelektuale ku muzika nuk ishte thjesht zbavitje, por frymëmarrje. Ajo shquhej si një pianiste klasike me një ndjeshmëri të rrallë, dhe pa e ditur, përgatitej për të përballuar një stuhi që do ta fuste njerëzimin në kapitullin më të errët të historisë së tij moderne.
Në vitin 1943, në një kohë kur e gjithë Evropa përgjaket nga makineria naziste, Alice, vetëm 18-vjeçare, deportohet në Auschwitz. Por, në vendin ku gjithçka ishte ndërtuar për të zhveshur njeriun nga dinjiteti, ajo gjeti një mënyrë për të mos e humbur kurrë thelbin e vet, muzikën.
U bë pjesë e Orkestrës së Grave në kamp, një ansambël i përdorur nga nazistët për qëllime propagandistike. Muzikantet përshëndetnin me melodi të burgosurit që hynin drejt seleksionimit dhe vdekjes, një ironi tragjike, që në vend të heshtjes së natyrshme të dhimbjes, mbulonte mizorinë me nota. Por në këtë absurditet, Alice e ktheu çdo performancë në një akt mbijetese.
Për të, tastiera nuk ishte thjesht një vegël: ishte rruga për të mos u bërë asnjëherë robe e kampit. Çdo tingull që nxirrte ishte një kundërshtim i heshtur ndaj shfarosjes.
“Muzika më shpëtoi jetën”, do të thoshte më vonë. Dhe në ato orë të errëta, ajo nuk luante vetëm për të kënaqur rojet, por për të kujtuar vetes, dhe të tjerëve, se bukuria ekziston ende, se shpirti mund të këndojë edhe kur trupi është nën peshën e persekucionit dhe panikun e asgjesimit.
Pas çlirimit, ajo nuk u kthye kurrë në një jetë të zakonshme, sepse ajo nuk kishte qenë kurrë një qenie e zakonshme. E shpërngulur në Izrael dhe më pas në Londër, ajo vijoi të mësonte, të luante, të jetonte. Në çdo nxënës që i mësonte piano, i dhuronte një copëz nga ajo dritë që ajo kishte ruajtur gjallë në errësirën e Auschwitzit.
Në vitet e vona të jetës, historia e saj preku mijëra zemra përmes dokumentarit “The Lady in Number 6”. Alice nuk fliste për urrejtje; ajo fliste për bukuri, për muzikë, për falje dhe për dashuri ndaj jetës, edhe kur ajo kishte qenë shpirtrobëruar.
Vdiq në vitin 2014, në moshën 110-vjeçare, si më e moshuara e të mbijetuarve të Holokaustit. Por në të vërtetë, ajo nuk vdiq kurrë, ajo vazhdon të jetojë në çdo frymë që beson te muzika si shërim, në çdo njeri që zgjedh të mos i nënshtrohet errësirës.
Sepse historia e Alice Herz-Sommer nuk është vetëm një rrëfim i mbijetesës, është një simfoni e shpirtit njerëzor, që nuk pranon të heshtë.
Përgatiti: Albert Vataj/ KultPlus.com