‘Alkoolistët Anonim’, libri i autores Edona Haxholli që sjell histori frymëzuese

5 Janar, 2021 - 9:25 pm

Suada Qorraj

I shënuar pjesë – pjesë e në kohë të ndryshme përgjatë shtatë viteve libri ‘Alkoolistët Anonim’, tashmë është përfunduar së shkruari dhe sjell histori të dhimbshme, të bukura, por po aq inspiruese për këdo jeta e të cilëve diku e dikur, mbase në një pikë është lidhur ngushtë me alkoolin, shkruan KultPlus.

Edona Haxholi, autorja e librit ‘Alkoolistët Anonim’, në një intervistë për KultPlus ka treguar se janë tre arsye që e kanë shtyrë atë të shkruaj një libër të tillë.

“Janë tre arsye se pse kam vendosur të bëjë një lidhje me konceptin e alkoolit; e para është sepse në vendin tonë mungojnë organizata të tilla ku njerëzit që kanë këtë varësi të kenë mundësi të adresohen dhe përmes kësaj kam arritur të prek edhe një tematikë tjetër duke ju referuar njerëzve që kanë përjetime të ndryshme, por nuk munden ta pranojnë nga frika e paragjykimeve që mund të marrin nga të tjerët. Kurse arsyeja e tretë ka qenë një dedikim për ata persona që kanë një karakter të fortë dhe nuk shprehin dhimbjen që kanë brenda vetes”, ka deklaruar Haxholli.

‘Alkoolistët Anonim’ në vete përmban histori e rrëfime të ndryshme të uljeve e ngritjeve të personazheve të këtij libri, që mbase mund të tingëllojnë jo edhe aq të njëjta por që në vete përmbajnë po të njëjtin element. Autorja tregon se jo të gjitha historitë e këtij libri janë të vërteta, disa prej tyre janë shkruar nga vetë ajo si synim i paraqitjes së problemeve aktuale në shoqëri.

“Sa i përket historive, disa prej tyre janë të vërteta, të cilat unë jam munduar ti paraqes duke i ruajtur origjinalitetin e tyre dhe disa të tjera janë të shënuara nga unë duke u bazuar në problemet që janë aktuale në shoqërinë tonë”, ka pohuar ajo.

Haxholli ka thënë se ky libër ka marrë emrin ‘Alkoolistët Anonim’, për shkak të konfidencialitetit të personave që kanë përjetuar këto histori dhe nuk ndjehen të gatshëm që ti shprehin ato në mënyrë publike. Sipas saj në shoqërinë tonë ende ekziston frika se të tjerët mund të kuptojnë historitë tona.

Libri 58-të faqesh në fund të tij përmban edhe disa fletë ku lexuesi mund të shkruaj shënimet e veta, e për të cilën autorja ka thënë se është bërë në mënyrë që ajo të jetë afër me secilin lexues.

“Arsyeja se pse kam vendosur që në fund të librit të jenë disa faqe ku lexuesit mund të shkruajnë shënimet e tyre është sepse kam dashur që çdo person që e lexon ‘A.A.’ të ketë mundësinë të shënoj pjesën e tij të preferuar, atë pjesë të cilën mund ta ketë ndjerë më shumë se të tjerat, si dhe të shënoj edhe kritikat ndaj librit. Kam dashur që përmes këtyre shënimeve të jem më afër me çdo lexues”, ka shtuar tutje autorja.

Edona ka treguar se libri i redaktuar ende nuk është botuar, mirëpo ajo ka bërë vetëm një lasnim të 100 kopjeve për rrethin e saj të ngushtë, si dhe ka shtuar se në momentin që libri do dalë në shitje atëherë do të ketë edhe një promovim për të.

Krejt në fund ajo ka rrëfyer se në një të ardhme shumë të afërt libri ‘Alkoolistët Anonim’, do të ketë edhe pjesën e tij të dytë.

“Të shkruarit është diçka që unë e bëjë me shumë pasion dhe dëshirë! Dhe mendoj ta vazhdoj të shkruarit deri në momentin që muza ime do të jetë gjallë! Një gjë që mundet ta zbuloj për ju është që ‘A.A.’ do të ketë një pjesë të dytë në një të ardhme të afërt”, ka përfunduar kështu intervistën Edona Haxholi./ KultPlus.com

Të ngjajshme