Anton Pashku dhe kitara

8 Janar, 2023 - 10:00 am

Nga Anton Pashku

Zemra ime vallëzon vetëm atëherë kur dëgjon titrimin e telave të kitarës. Vetëm shpatat e zërit të saj mund ta copëtojnë brengën dhe t´ua falin flatrave të harresës. Po, vetëm kitara, kjo kitarë që rri përpara meje e varur aty në mur, mundet.

Edhe pse tash vrik jam mësuar të luaj me telat e saj, kitara ime lëshon zëra që, duke u ngatërruar ndërmjet vete, krijojnë jone, për mua shumë të hareshme. Vetëm për mua! Them vetëm për mua, sepse tingujt e saj janë shumë të çuditshëm. Nuk mund t´i kuptojë, ose nuk do t´i kuptojë, gjithkush: qajnë kur duhet të gëzohen, gëzohen kur duhet të qajnë.

Si tash më kujtohet vaji i vashës, që m´u lut t´ia këndoj një këngë. Pranova. Mora kitaren në duar. U ula pranë dritares, duke shikuar në qiellin e natës, i cili, nëpër dritaren time, dukej katërkëndësh me fillim, por pa fund. Pëlqeva telat dhe gishtat e mi zunë të luajnë nëpër to. Tingujt e kitarës përcillnin fjalët e këngës për Hënën e dashuruar në një yll që tradhtoi Diellin, i cili, zemëruar pamasë, shkreu që ta shëmtojë përgjithmonë fytyrën e Pabesës.
-Pse t´u mbush mendja ta këndosh këtë këngë?-pyeti ajo dhe sytë ia mbytën bulzat e lotëve që i gufonin pajada.
Rrudha krahët. Rrudha edhe ballin. Nuk dita ç´t´i them. Dita, por diçka më lidhi në fyt.

-Po pse, pse po loton?-dëgjova pyetjen mbasi doli prej gojës sime.
-Si…pse?!-tha ajo duke u munduar për t´i ndalë lotët, që i rridhnin nëpër faqe.
-Si, të lutem, si ka mundur Dielli të bëhet aq mizor…
-Mizor?!
-Po, po!-tha ajo—Si ka mundur të bëhet aq mizor ndaj Hënës, e cila për çdo mbrëmje del për ta stolisur lumin tonë me shtyllën e artë të rrezeve të veta?
-Shtylla e artë e Hënës?
-S´është e Hënës.
-Po e kujt është?
-Fol sa të duash, por ti s´je duke prekur telin e solit?
-Unë?
-Ti, pra. Të Pabesës…-thashë dhe u ndala. Mendimin, që desha t´ia them asaj, e përtypa në heshtje.
Më shikonte. Pesha e shikimit të saj, që më kaploi, ishte tepër e rëndë. Ishte e rëndë sa s´bëhet.
-Mirë, mirë!-thashë.
Preka telat e kitarës sime. U krijuan tinguj që s´kishin lidhje me njëri tjetrin.

-A di çka,-tha ajo,-ta lëmë Hënën.
-Ta lëmë, nëse na lë.
-Mos u tall!
-Nuk po tallem.
-Atëherë, pra, jipja këngës për sumllën e djersës!
-Për sumllën e djersës, pa të cilën nuk mbin as therra për gardhiqe?
-Po, ke të drejtë.
-S´dua!
-Pse?
-S´dua t´ia them asaj kënge, sepse është e dhimbshme.
-Ani që është e dhimbshme, ani.
-Por ti s´e merr vesh!
-Si nuk e marr vesh!-tha ajo.-Vëllaut tim të vogël ia shoh sumllën e djersës sa herë që mundohet ta gënjejë nënën…
-Eh…-thashë unë.
Një e qeshur, për mua fare e pakuptimtë, shpërtheu në gojën e saj. Ishte aq therrëse dhe e padurueshme, sa mua më hypi gjaku në krye.

Shikova nëpër dritare: m´u duk se një yll kishte zbritur dhe tashti ishte mu përpara syve të mi. Çova dorën dhe mora hov: desha ta thej kitarën në njërën këmbë të atij ylli. Por, sjellja shkoi kot: ylli ishte larg, atje lart duke hequr valle me shokët e vet.
-Ha, ha,ha!-dëgjohej e qeshura e saj.
Mora kitaren. Drodha një tel. I thashë:
-Për ty, për lëkurën tënde pa asnjë pore!
Ndali të qeshurit. Më shikoi me ballë të mrrolur. Drodha të gjashtë tela e i thashë:
-Për ty, për ty që m´je tingull i pazëshëm!
-Paska tinguj të pazëshëm?
-Ja, paska!
Brofi në këmbë. Bëri një hap dhe u ndal përpara meje.
-Shiko veten, o i mjerë!-tha ajo.
-O gjuetar i ëndrrave, a s´po sheh se je krejt lakuriq!
-Unë?

-Ti, ti…A s´po sheh se ke mbetur lakuriq?…A s´po sheh se kitara të solli në këtë ditë të zezë?…Hidhe atë kitarë e mos rri kështu lakuriq, se do të bëhesh gazi i botës…
Zonjusha Vulë lëvizi vendit. Megjithatë, shtrëngova kitarën. Kitara u dalldis. Kurse ajo u mrrol edhe më shumë. Dikur fluturoi jashtë, duke mbyllur derën me forcë.
Mbeta vetëm unë, kitara dhe tingujt e saj magjikë që përpiqeshin për ta zhdavaritur rrapëllimën e derës së mbyllur…

Shkurt, 1957 / KultPlus.com

Të ngjajshme