займ на карту онлайн потребительский кредит

Ardian Ndreca publikon librin e tij më të ri “Pa pikë pa presje”

12 Nëntor, 2020 - 6:25 pm

Autori shqiptar me banim në Itali, Ardian Ndreca, vjen te lexuesi me librin e tij më të ri “Pa pikë pa presje”.
Ky libër, të cilin ai e ka quajtur “Mbamendje”, është diçka më shumë sesa kujtimet e fëmijërisë, është kaleidoskopi i dikujt që rritet dhe sheh larg e afër, nganjëherë tepër afër dhe ngultas, që i jep kuptim botës dhe merr kuptim prej saj, herë i distancuar dhe herë me padurim.

Me shkrue asht nji gja e vështirë, sidomos për veten dhe për njerzit e dashun, ata të afërtit por edhe për ata me të cilët jeta të ka përpjekë në momente të caktueme.
Nji libër kësodore nuk asht nji produkt i kërpitun, pse nuk ka gja ma të papërkryeme sesa kujtimet. Ashtu si baticat ato nxjerrin prej thellësive relike të papërfillshme dhe sende tjera me vlerë, e nganjiherë të vjen keq që sovraniteti i së kaluemes profanohet tue qitë në dritë gjana që flenin në paqën e lume të harresës. E kaluemja ka nji potencial elektrostatik, aty ku s’e pret merr nji shkarkim emocionesh e mandej gjithçka kalon e fiket vetvetiut.
Kujtesa e parë asht ajo e shqisave, ajo që s’ka nevojë për ndërmjetësimin e arsyes, madje s’ka nevojë as për detaje topografike. Gjanat janë ashtu siç janë dhe për to s’ndien keqardhje. Së andejmi s’ka kurrgja, së këtejmi, përkundër, ndodhet nji mal me interpretime, stërhollime, arsyetime, tue qenë se kujtesa asht kthye ndërkaq në nji zêje të veçantë që na ban me u ndie të gjykuem”, shprehet ndër të tjera autori në parathënien e librit.

Ardian Ndreca ka lindur në Shkodër më 1969. Prej dy dekadash është profesor i Historisë së Filozofisë Moderne në Romë. Ka drejtuar revistën “Hylli i Dritës” (2006-2015) dhe nga viti 2016 drejton të përkohshmen “Shêjzat”. Ka botuar në shqip dhe në italisht./diasporashqiptare/ KultPlus.com

Të ngjajshme