Arian Leka vlerësohet me çmimin ‘Opera Omnia’ në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë “Tudor Arghezi”

24 Maj, 2022 - 8:59 pm

Së bashku me profesoreshën Catalina Iliescu, kritikun dhe eseistin Mircea Mihăieş dhe poetin Ioan Moldova, poeti Arian Leka është shpallur fitues i çmimit “Opera Omnia” në kategorinë e autorëve të huaj për vitin 2022, një çmim ky i dhënë nga Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë “Tudor Arghezi” i Bukureshtit (Rumani), në edicionin e tij të 42-të, transmeton KultPlus.

Leka u vlerësua për veprën poetike dhe atë eseistike, botuar me sukses në disa gjuhë të huaja e veçmas në rumanisht (me vëllimin “Anija e Gjumit” dhe “Biblioteka lundruese” – antologji autori).

Edicionin e 42-të të tij, Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë “Tudor Arghezi”, e zhvilloi në qytetin rumun Târgu Jiu, mes datave 19 dhe 22 maj 2022.

Juria e Festivalit, e përbërë nga figura kryesore midis akademikëve, shkrimtarëve, kritikëve dhe historianëve të letërsisë çmoi lart risitë stilistike e tematike, si dhe thellësinë befasuese të poetikës së Arian Lekës, jo vetëm si përfaqësues i letrave shqipe, por edhe i atyre evropiane.

Arian Leka është i pari autor shqiptar që fiton këtë çmim të rëndësishëm.

Në këtë edicion të Festivalit, poeti Arian Leka u paraqit me librin “Hartë memece për të mbyturit”, libër ky i përkthyer në mjaft revista letrare në gjermanisht, frëngjisht, italisht, spanjisht e në disa gjuhë të rajonit dhe i vlerësuar veçanërisht për poemën “Auschwitw detar”, përuruar në tetor të vitit 2021 në La Coruña në një nga skenat më të rëndësishme të përfaqësimit të poezisë në botë “Poetas Di(n)versos”.

Çmimi “Tudor Arghezi” është çmimi i tretë ndërkombëtar për poetin Arian Leka, i cili më parë është vlerësuar me “Skepri poetik”, dhënë nga Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë së Veriut dhe çmimin “Poet i kryeqytetit poetik të Rumanisë”, Iasi, 2019!

Ndërkohë, libri “Hartë memece për të mbyturit” do të botohet në greqisht, serbisht e maqedonisht brenda vitit 2022.

Festivali mban emrin e njërit prej klasikëve të letërsisë rumune, Tudor Arghezi (pseudonim letrar i Ion Nae Teodorescu-t, 21 maj 1880-14 korrik 1967). Poet, prozator, dramaturg dhe gazetar gjenial, Arghezi vlerësohet si njëri ndër tre autorët rumunë që e sprovuan rumanishten deri në skajet e saj shprehimore, duke i zbuluar mundësi e fuqi metaforike të panjohura më parë (bashkë me Eminescu-n dhe Nichita Stănescu-n). Autor i një vepre poetike me theks modernist e simbolist, i një proze tejet të pasur, i disa librash tashmë mitologjikë për fëmijë, i mjaft pamfletesh të shndërruar në pika referimi, por edhe zbulues e botues talentesh të reja, Arghezi ndikoi mbi mjaft autorë të shquar dhe në jetën letrare rumune për mbi gjysmë shekulli. Ishte akademik, kandidat për çmimin Nobel, por edhe prani e fuqishme në hapësirën anekdotike të bohemës rumune.

Falë përkushtimit të organizuesve ndaj vlerave estetike e artistike, laureatët e Çmimit Arghezi gjatë këtyre 42 edicioneve janë emra të mëdhenj të letërsisë rumune dhe të disa letërsive të tjera. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme