Autori Gjon Keka vjen me librin e ri, “Leonik Tomeu, pishtar i dijes dhe rilindjes europiane”

16 Gusht, 2022 - 11:36 am

Doli në dritë libri i ri i autorit Gjon Keka i titulluar “Leonik Tomeu, pishtar i djes dhe rilindjes europiane”, përcjellë KultPlus.

“Ky botimi im i radhës, ashtu siç kam vite që hulumtoj e studioj mbi figura madhore që kanë bërë epokën dhe historinë e kombit tonë shqiptar, i kushtohet profesorit dhe filozofit tonë të madh arbëror Leonik Tomeu. Gjatë gjithë punës sime studimore, mbi këtë figurë që njihet mirë në epokën e rilindjes dhe humanizmin europian, jam ndjerë i përmbushur dhe shumë krenar për origjinën tonë arbërore, si pjesë e shpirtit dhe kulturës së saj, mbi të gjitha si pasardhës i të madhit tonë legjendar, Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, njohur jo vetëm nga bota e madhe europiane, por edhe më tej”, thotë Keka.

“Në morinë e humanistët tanë arbërorë europian, nuk mund të rrimë pa i përmendur edhe një herë të famshmit tanë Gjon dhe Pal Gazulli, Marin Beçikemi e Barleti, Pal Engjëlli, Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani etj. Këta janë krenaria e kombit tonë të lashtë europian, janë dëshmia e kulturës sonë autoktone, e cila ndihmoi dhe kontribuoi që bota, në tërësinë e saj, të ketë zhvillim e dituri. Një ndër ta është edhe humanisti i shquar i periudhës së Rilindjes Europiane, Nikollë Leonik Tomeu, dijetari që bëri emër në shkencat e kohës kur jetoi. Me gjithanshmërinë e njohurive të tij në çdo fushë të jetës, te figura e tij u shqua filozofi i vërtetë, edhe pse jeta e tij ishte “e thjeshtë, kurrë nuk vrapoi pas luksit, dhe nuk u korruptua asnjëherë. Nikollë Leonik Tomeu ishte i përkushtuar në kërkimin e së vërtetës dhe jetonte si njeri i thjeshtë”, cilësi këto të theksuara për të. Ai jetoi, veproi dhe bëri dritë për shkencën, humanizmin, historinë, të cilat i konsideronte të shenjta. Ashtu si humanisti i madh Erasmus, edhe ai u bë një apostull i zellshëm i humanizmit, duke u nderuar dhe vlerësuar në shekujt që pasuan.” / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme