Avokati Geoffrey Nice: Isha i angazhuar në asistimin e autorëve të librit për Hashim Thaçin

1 Dhjetor, 2018 - 8:22 pm

Presidenti Hashim Thaçi ka shfrytëzuar kontratën për lobim që Qeveria e Kosovës ka pasur me kompaninë Alston&Bird për promovimin e tij personal. Saktësisht për të shkruar librin e tij biografikë.

Komisioni hetimor parlamentar ka konstatuar se avokati Geoffrey Nice ka qenë i angazhuar në asistimin e autorëve të librin e presidentit dhe se ai është paguar me fonde publike nga Qeveria e Kosovës, shkruan Insajderi.

Avokati Nice e kishte dëshmuar këtë përmes një letre dërguar Qeverisë së Kosovës, përkatësisht shefit të kabinetit të Kryeministrit Haradinaj, z. Avni Arifi.

Në këtë letër ai përveç që e konfirmonte se ka qenë i angazhuar, tregonte edhe për pagesat që i janë bërë në emër të qeverisë dhe ndalimi i tyre.

“Komisioni Hetimor Parlamentar konstaton se në kohën e pagesës së faturës per Alston&Bird, puna e bërë është faturuar dhe është paguar nga fondet e lobimit, pra nga Qeveria e Kosovës; siç dëshmon dosja e prezantuar në Komisioni; dhe se dokumentacioni i prodhuar “post festum” nuk zhvlerëson pagesën e Korrikut 2017. Për më tepër, shfrytëzimi i fondeve të lobimit për çështje që lidhen me biografinë e z.Thaçi përmenden edhe në letrën e Avokatit Nice dërguar zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës”, thuhet në raportin e komisionit hetimor që e ka siguruar Insajderi.

Në letrën e tij, avokati Nice tregon se gjatë vitit 2015 është kontaktuar nga Petrit Selimi, atëkohë ish- zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe është pyetur nëse “do të punonte për Qeverinë e Kosovës”.

Nice, tregon se është pajtuar me kushtet financiare të prezantuara nga Selimi dhe për punët e bëra drejt qeverisë së Kosovës.

“Ndër të tjera tregon se si pjesë e angazhimit në fjalë, “me kërkesë, kam asistuar shkrimtarët e biografisë së Hashim Thaçit”. Gjatë letrës, Nice tregon se është paguar nga Qeveria e Kosovës, dhe se në një pikë pagesat ndaj tij edhe ekipit të tij janë ndërprerë”, thuhet në raportin e komisionit hetimor.

Ky komision gjatë fazës së hetimit ka pranuar 4 kontrata të lotimit nga institucionet përgjegjëse, por në asnjërën nga kontratat lobuese nuk figuron angazhimi i Geoffrey Nice.

“Rrjedhimisht, anagzhimi i z. Nice duhet të jetë pjesë e ndonjë kontrate tjetër, kontratë e cila nuk është dhënë – me ose pa qëllim – në dispozicion të Komisionit Hetimor Parlamentar”, thuhet në raportin që e ka siguruar Insajderi.

Komisioni kanë ftuar për intervistim Petrit Selimin lidhur me dëshminë e avokatit Nice. Me 12 nëntor Selimi gjatë intervistimit e kishte pranuar takimin me avokatin, por kishte deklaruar se ai nuk është angazhuar asnjëherë nga Qeveria e Kosovës.

“Komisioni Hetimor Parlamentar ka tentuar në disa raste të intervistojë avokatin Geofrey Nice. I njëjti nuk ka pranuar të intervistohet pa pranimin e pyetjeve paraprake me shkrim. Komisioni ka konstatuar se dërgimi i pyetjeve paraprake me shkrim dëshmitarit që do të intervistohet nuk është lejuar askund në Ligjin për Hetim Parlamentar dhe as në Kodin për Procedurë Penale të Kosovës, i cili zbatohet përshtatshmërisht sa i përket intervisitimit të dëshmitarëve. Prandaj, dëshminë e z. Nice, Komisioni Hetimor Parlamentar e ka referencuar mbi letrën e tij dërguar Qeverisë së Kosovës”, thuhet në këtë raport.

Ndërkaq sa i përket dëshmisë së Petrit Selimi, komisioni kanë konstatuar se është në kundërshti të plotë me letrën e avokatit Geofrey Nice dërguar Qeverisë së Kosovës.

“Derisa z. Selimi dëshmon se avokati Nice nuk është kontraktuar asnjëherë nga Qeveria e Kosovës; ky i fundit përmendë pagesa e ekzekutuara dhe të ndërprera më pas nga llogaritë e Qeverisë së Kosovës. Ekzistenca e pagesave në fjalë do të hapte një kapitull të ri hetimor mbi kontratën në fjalë; natyrën e punëve dhe eventualisht shumat e paguara – informacione që nuk u janë dhënë në dispozicion Komisionit Hetimor Parlamentar, sic parashihet me Ligjin mbi Hetime Parlamentare”, shkruhet në raport.

Një detaj tjetër që ka përmendet në raportin e komisionit hetimor të siguruar nga Insajderi, në letrën e tij avokati Nice ka përmendru edhe një material për qeverinë e Kosovës kur Gjykata Speciale të nisë me aktakuzat e para.

“Në letrën e tij dërguar Qeverisë së Kosovë, Nice ndër të tjera, thotë se ka përgatitur një material për Qeverinë e Kosovës, kur Gjykata Speciale të fillonte aktakuzat e para. “Kemi punuar që qeveria e Kosovës të mund të përgatiste material ku askush s’do të kishte qasje, të cilat do të përdoreshin kur individë do të akuzoheshin nga Gjykata Speciale”, thotë ai në letrën e tij”, thuhet në raport.

Ky komision ka ftuar organet kompetente të Shtetit të hetojnë pagesën në fjalë mbi bazën e dyshimeve se fondet e lobimit janë përdorur për promovime personale.

“Meqë dëshmitë janë kontradiktore dhe kontratat e fletpagesat në fjalë nuk i janë dhënë asnjëherë në dispozicion Komisionit Hetimor Parlamentar, ky Komision fton organet kompetente të Shtetit të hetojnë të dy dëshmitë e prezantuara në Komision; dhe të hetojë llojin e kontratës, pagesat dhe autoritetin kontraktues të z.Nice; natyrën e punës të avokatit Nice në lidhje me shkrimin e autobiogrrafisë së Presidentit Thaçi si dhe natyrën e punës së Z.Nice që ka të bëjë me aktakuzat rreth Gjykatës Speciale”, thuhet në raport. /Insajderi.com/KultPlus.com

Të ngjajshme