Bardhyl Londo, poeti me pardesynë e bardhë

19 Prill, 2019 - 8:30 pm

Jeta në dy kohë e Bardhyl Londos … Humbja e së shoqes Valentinës … dhe roli i tij në historinë e letërsisë shqipe. Tashmë poeti prej disa kohësh po kalon ditë jo të mira me shëndetin.

Kur një grua ikën, një burrë nuk është më i njëjti. Ndarja nga jeta e Valentina Londos (bashkëshortja e poetit Bardhyl Londo), do ta fuste poetin në honet shpesh të errëta të kujtesës. As ajri i pasditeve që çlirohej nga pemët e Dajtit nuk do të mund t’ia zbuste mungesën pa kthim. Vetmia që aq shumë e kishte lexuar në vargje, tashmë kishte hyrë fort në jetën e tij. Valentina nuk ishte vetëm gruaja, por dhe bashkëshoqëruesja e një jete jo të lehtë. Shpesh ai i ishte drejtuar asaj përmes vargjeve, ashtu siç i drejtohet tani përmes heshtjes.

“Unë i shkruaj letër Valentina Londos

I them: qielli i ngjan sombreros së Pablo Nerudës,

I them: deti ka mall të na shohë të dy,

I them të më dërgojë 50 lekë se dietat m’u mbaruan!

Pastaj për ta qetësuar

I them: nuk kam pasur tikikardi.

Po detin, detin vallë, si ta qetësoj për ty?

Kjo poezi e shkruar në vitin 1980 është botuar fillimisht pa emrin e Valentinës. I ftuar një vit më parë, në klubin e librit në Universitetin Europian të Tiranës, Londo e nisi rrëfimin e jetës së tij me letërsinë, pikërisht nga poezia “Si ta qetësoj detin”, kushtuar së shoqes. Atëherë vetëm 32 vjeçe, ai shkeli rregullat e sociorealizmit duke vendosur emrin e gruas që donte në titullin e një poezie. Poezia dedikuar Valentinës do të mbante dhe titullin e librit botuar më 1988-n “Si ta qetësoj detin”. Por censurës së kohës nuk mund t’i shpëtonte një detaj i tillë, ndaj poezia u botua pa emër. Në vitin 2005, Londo do ta ribotonte poezinë, më në fund me emrin e saj në një përmbledhje poetike.

Me siluetën që dallohej nga larg prej pardesysë së bardhë, Bardhyl Londo është një ndër personazhet më me ndikim në historinë e poezisë shqipe. I lindur në Përmet në vitin 1948, ai do të zbulonte herët pasionin për letrat. Pas studimeve për Gjuhë dhe Letërsi shqipe, Londo do të niste fillimisht të punonte si mësues në qytetin e lindjes, për t’u zhvendosur më pas në Tiranë, pranë redaksisë së gazetës “Drita”. Që me botimin e librit të parë me poezi “Krisma dhe trëndafila” më 1975-n, Londo do të spikaste për ndjeshmërinë e vargut. Në vitin 1981 ai boton librin “Hapa në rrugë”, ndërsa tre vjet më vonë, “Emrin e ka dashuri”. Londo është autor i shumë vargjeve për dashurinë në letërsinë shqipe, e kjo, ndoshta e bëri shumë shpejt një emër të dashur për lexuesin. “Ne jemi si dy brigje të një lumi / përjetë përballë, përjetë të ndarë / natën ndërtojmë në ëndrra një urë / ditën mbetemi të huaj si më parë …”, një tjetër poezi e njohur e tij “Ura dhe brigjet”.

Përvoja në gazetën “Drita” një nga gazetat më me ndikim në botën letrare gjatë komunizmit, duket se ka mundur të shmangë keqkuptimet në të cilat u përfshinë këto vite në debate publike shumë personazhe të kohës. Duke ruajtur një profil neutral, Londo arriti të krijonte profilin e një poeti dhe intelektuali të shkëputur nga koha. Ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve pikërisht në vitet e ndryshimit të sistemeve në vend, duke bërë kalimin nga një kohë në tjetrën, të një institucioni, që për gati gjysmë shekulli kishte qenë zëri i propagandës së komunizmit. Për gati një dekadë pas rënies së komunizmit, ai do t’i mungonte lexuesit, duke u rikthyer në vitin 2010 me librin me poezi “Shën shiu”. Duket se liria e kishte bërë më të plotë poezinë e Londos, i cili rikthehej në dimensionin e plotë të tij. Megjithëse Londo hyn tek ata poetë që e kanë pranuar se “e kanë pasur jo të lehtë të punojnë pa censurën”. “Censura është futur aq thellë te ne sa është e pamundur ta shohim jashtë vetes”, do të shprehej ai. Në vitin 2013 ai befason lexuesin duke ardhur për herë të parë me një libër në gjininë e prozës. Që me titullin “Jeta që na dhanë”, romani duket se paralajmëron një lloj reflektimi të shkrimtarit mbi kohën ku jetoi. Një roman gati autobiografik, sjell të gjitha shqetësimet e një shkrimtari mbi jetën në një sistem jo të lehtë siç ishte komunizmi, përpjekjet për të mbetur njeri, dhe sfidat e një kohe tjetër siç ishte pluralizmi. Londo ka rrëfyer gjithçka i veshur me lëkurën e një personazhi tjetër, duke lënë dëshminë e tij për kohën.

Londo u përket intelektualëve që ndanë gjatë jetës së tyre dhe angazhimin në politikë. Për shumë vite ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë nën logon e Partisë Demokratike. Shpesh politika ndihet dhe në vargjet e tij të vona, të fokusuara më shumë te sfidat me të cilat është përballur vendi. Kritik ndaj qëndrimeve që mbahen sot ndaj letërsisë së sociorealizmit, ai ka bërë shpesh thirrje se duhet ndarë figura e artistit nga qëndrimi i tij politik dhe për ta gjykuar letërsinë pa qëndrimet politike.

Poeti me pardesynë e bardhë dhe vështrimin e thellë është padyshim një nga figurat më interesante të letërsisë shqipe të pas viteve ‘80. Prej disa kohësh ai shfaqet i shqetësuar në statuse “Facebook”-u mes miqsh, ku rëndimi i shëndetit dhe ikja e Valentinës ia kanë mjegulluar jetën./ Gazeta Liberale

Të ngjajshme