Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, aneksim?

1 Dhjetor, 2018 - 2:57 pm

Rrezart Palluqi

Në një intervistë të tij, publikuar në gazetën Mapo, Mehmet Kraja rreh problemet madhore që kanë Kosova dhe Shqipëria. Aty ai rikonfirmon idetë e mia fillestare se Shqipëria dhe Kosova nuk do të duhet të bashkohen kurrë nëse udhëheqësit e saj e populli që i sjell në pushtet nuk heqin dorë nga interesat e tyre personale. Bashkimi do të duhet t’i ngjante qershisë mbi tortë. Pra duhet që të bëjmë tortën së pari. E ajo bëhet pa qenë nevoja që të bashkohemi me kaq zhurmë e potere mediatike. Të krijohen bashkëpunimet ekonomike të ndërmjetme, të hiqen doganat, të clirohen ndasitë kulturore duke e cliruar artin prej lloj lloj burokracie dhe taskash të larta. Të luftohet korrupsioni i madh. Do të duhej pra që të mësojmë të bëjmë shtet së pari e jo t’i shohim dy pjesët e ndara të Shqipërisë si dy anije egoiste që cdo dy milje flakin shqiptarët në det dhe vazhdojnë udhetimin të qetë me shpurën e tyre të korruptar.

Pak a shumë të gjitha këto shqetësime Kraja i trajton me gjakftohtësi të madhe. Ai akuzon edhe zhurmën e madhe mediatike që Rama krijoi në Pejë. Zhurmë që vecse justifikon panikun e kahershëm që Serbia ka ditur të mbjellë në korridoret diplomatike evropiane. Ankthi fëmijëror i krijimit të Shqipërisë së Madhe.

Deri këtu, bravo shkrimtarit Mehmet Kraja. Mirëpo, Kraja e nxjerr Asin serb nga mëngët në fund. Sepse ai përmend jo pak por tri herë në intervistë respektin që Shqipëria duhet të tregojë për sovranitetin territorial të Kosovës. Për cilin sovranitet e ka fjalën shkrimtari Kraja? Për sovranitetin serb mbi Kosovën natyrisht. Sepse midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk ekzistojnë sovranitete territoriale përvecse vëllazërisë së përjetshme. Madje Kraja shkon aq larg saqë bashkimin e Shqipërisë me Kosovën e konsideron një aneksim. Ky term e varros mu në mes të ditës të gjithë atdhedashurinë e Krajës. Të përdorësh termin aneksim për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë është pisllëku më i madh që mund të bëjë një shkrimtar shqiptar në kurriz të trojeve etnike shqiptare. Aneksimi , pa dashur t’ju bëj etimologjinë e kësaj fjale, përdoret kur një shtet rrëmben një pjesë të një shteti tjetër që nuk kanë asnjë lidhje vëllazërore, historike, gjuhësore, kulturore etjer.

Papjekuri intelektuale? Jo, vetëm këtë nuk mund ta besoj. Mehmet Kraja zotëron boll njohuri dhe aftësi për të analizuar situata të ndryshme psikosociale. Rrjedhimisht, Kraja e përdor këtë term të frikshëm me urdhër nga Serbia. Sepse kesaj të fundit i pëlqen që ta konsiderojë bashkimin tonë kombëtar si një aneksim. Ndaj dhe Mehmet Kraja rivërteton edhe një herë dyshimet e mia e shumë të tjerëve rreth marëdhënieve të fshehta që ai ruan me politikën serbe. E kjo më dëshpëron pa masë, sepse si shkrimtar Kraja mua më pëlqen për pasurinë gjuhësore dhe konceptet letrare. Vecse, ai, ashtu si dhe dhjetra shkrimtarë të tjerë shqiptarë, është një mercenar politik i politikave shkatërruese të popullit shqiptar.

Rezart Palluqi

Amsterdam, 1 dhjetor 2018

Të ngjajshme