Bashmir Xhemaj sjell librin “Një shqiptar në CIA – dy jetët e Destan Berishës”

1 Prill, 2019 - 9:40 pm

Më 3 prill bëhet promovimi i libri “Një shqiptar në CIA – dy jetët e Destan Berishës” i autorit Bashmir Xhemaj, në librarinë “Dukagjini”. Autori në kë libër zbardh jetën e një njeriu të zakonshëm por që jetoi historinë më të jashtëzakonshme të shqiptarëve në shekullin XX, shkruan KultPlus.

Ngjarjet në këtë libër zhvillohen nga krypersonazhi Destan Berisha, i cili pa ndonjë ditë shkollë luftoi përreth Prizrenit kundër italianëve dhe gjermanëve në kulmin e Luftës së Dytë Botërore. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, ai largohet nga Kosova duke u strehuar në Greqi ku bën një jetë të rëndë në kampet e refugjatëve.

Në vitin 1948, ai merr kontakt me amerikanët të cilët kishin filluar përgatitjet së bashku me britanikët për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës në Shqipëri përmes dërgimit nga deti dhe me ajri të agjenteve shqiptarë. Gjatë katër viteve sa zgjati operacioni i CIA-s në Shqipëri, Destan Berisha hyri e doli disa herë por la mbrapa të vrarë shumë shokë të tij, kështu jeta e tij merr drejtim të panjohur dhe Destani për një moment shkëput bashkëpunimin me CIA-n. 


Në këtë biografi, jeta e Destanit nuk përfundon me kaq. Aty ka edhe histori dashurie me një vajzë më të vogël në moshë se ai, epilogu i të cilës përfundon me dhimbje. E ardhmja nuk rezervon diçka të mirë për Destanin, i cili dekada më vonë, në një udhëtim të çuditshëm, arrestohet dhe burgoset në Jugosllavi duke u akuzuar si spiun i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky rast, nga zbulueset e dokumenteve të CIA-s, rezulton një prej “ngjarjeve më të mëdha sekrete mes Jugosllavisë dhe Amerikës”.

Mësoni cili politikan i lartë amerikan negocioi drejtpërdrejt me Josip Broz Titon për ta liruar Destanin? Çfarë shkruan mediat me të mëdha amerikane dhe çfarë raporti pati ai në Amerikë me Xhafer Devën dhe udhëheqës të tjerë të emigracionit shqiptar. 

Bashmir Xhemaj është një figurë aktive në jetën publike në Kosovë. Gazetar për shumë vjet në televizion, ku ka mbuluar kryesisht politikën. Xhemaj ka studiuar komunikimin politik në Universitetin e Sheffield-it, dega në Selanik. Që nga viti 2014 punon si këshilltar për Qeverinë e Kosovës, fillimisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ky është libri i parë i tij./ KultPlus.com

Të ngjajshme