Basri Çapriqi, poet i jetës

16 Janar, 2018 - 12:06 pm

Profesorët Sali Bashota, Lindita Rugova e Osman Gashi qëndronin sot pranë derës së Sallës së Kuqe të Fakultetit Filologjik, ndërsa prisnin edhe shumë kolegë, studentë e figura të njohura nga Kosova, Shqipëria e Ulqini për t’i dhënë lamtumirën e fundit poetit e profesorit Basri Çapriqit, me të cilin kishin ndarë shumë vite brenda këtij objekti, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Profesori Osman Gashi ishte ai që udhëhoqi këtë akademi mortore, ndërsa lexoi një letër ngushëlluese të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, në të cilën thuhej se Universiteti i Prishtinës ka humbur një njeri të madh.

“Jemi mbledhur sot me një dhimbje te papërshkrueshme për t’i dhënë lamtumiren profesorit, mikut tonë të shtrenjtë, kolegut dhe intelektualit të madh, Basri Çapriqit”, tha profesori Gashi derisa theksoi punën e gjatë të tij në Universitetin e Prishtinës dhe synimet e tij për ta ngritur sa më lart këtë institucion.

Kurse rektori i Universiteti të Prishtinës, Marjan Dema tha se Universiteti i Prishtinës humbi një nga profesorët me të çmuar. Letërsia, kultura dhe publicistika humbën një shkrimtar të shkëlqyeshëm, kurse studentët humbën udhërrëfyesin e tyre, ndërsa familja prindin dhe bashkëshortin e dashur.
“Është moment shumë pikëllues dhe i dhimbshëm ky çast i mbledhjes tonë për t’u përshëndetur për herë të fundit fizikisht me profesorin tonë të çmuar Çapriqin, i cili i dha kaq shumë Universitetit të Prishtinës dhe shoqërisë tonë. Sot e kam të vështirë të flas e ta them fjalën e ndarjes për njeriun që kaloi jetën në sallë të ligjëratave para studentëve të tij, para librit dhe penës që me mendjen e tij të ndritur të ndris mendjen e shumë të rinjve dhe të rinjve”, tha rektori Marjan Dema, i cili ndër të tjera theksoi edhe punën e tij si lider i mirë i Këshillit Drejtues të UP-së, ku kishte ndarë gjashtë vite të punës me të, ndërsa tha se ai gjatë këtyre viteve ka dhënë një kontribut të madh në avancimin cilësisë së Universitetit të Prishtinës.

Më pas dekania e Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova tha se puna e tij dha një kontribut të rëndësishëm në auditoriumet e Fakultetit të Filologjisë. “Jemi mbledhur në këtë sallë ceremoniale për ta përshëndetur pa praninë fizike të tij punën dhe veprën e njërit prej profesorëve të shquar të Katedrës së Albanologjisë. Studimet e tij letrare do të mbesin si pikë reference për shumë studiues të tashëm dhe të ardhshëm”, tha dekania Lindita Rugova, derisa ngriti lart kontributin e tij pedagogjik, shkencor e artistik.

“Të dashur të pranishëm, profesori nuk e mbërriti për pak orë datëlindjen e tij të 58-të , e keqja e pafund e sëmundjes e mbërtheu fort dhe nuk e lëshoi, megjithatë emri i tij tashmë ka zënë vend në mesin e atyre që kujtohen, derisa studiohet letërsia shqipe në këtë vend”, përfundoi Rugova,
Njëri nga miqtë e tij të hershem dhe shoku i gjeneratës, Sali Bashota në fjalën e tij përshëndetëse tha se Basri Çapriqi ishte një poet i mrekullueshëm, një stilist brilant, profesor i pakrahasueshëm dhe studiues i thellë i letërsisë shqipe. Ndërsa tha se ai ka arritur të jetë një nga poetet më të veçantë shqiptar.

“Kur ne prisnim ditëlindjen tënde pse miku im u ngute dhe harrove dritaren hapur për të fluturuar shpirti yt në zemrën e qiellit, shpesh na thoshe dritaren lëre hapur që të hyj ajri nga rruga. Basri i dashur, nuk mund të themi lamtumirë asnjëri nga ne këtu. Asnjeri nga të dashurit e tu, nuk kemi lamtumirë për ty, na fal. Ti ishe poet i jetës, jo i vdekjes. Pranë teje ishte vetëm dashuria për jetën dhe miqësia për njeriun”, ishin fjalët e profesorit Bashota.

Në emër të familjes, fjalën e mori vajza e poetit e profesorit, Bulza Çapriqi e cila emocionoi të pranishmit me fjalën e lamtumirës kushtuar babait të saj. “Me të gjitha mësimet që na i mësove për gjuhën dhe fjalët, sot nuk po arrijmë t’i kujtojmë. Ike aq shpejt dhe na le në heshtje, a thua që i deshe fjalët aq shumë na i more të gjitha me vete. E kemi shumë të vështirë ta pranojmë humbjen tënde. Një gjë e dimë shumë mirë dashuria dhe mirësia me të cilat na rrethove, do të na ngrohin zemrat përjetë. Do të na mungosh shumë, kurrë nuk do të arrijmë ta përmbushim zbrazëtinë që na lë pas”, ishin fjalët e Bulza Çapriqi për babain.

Basri Çapriqi ka ndërruar jetë të dielën në moshën 58 vjeçare, Punoi profesor në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëroi lëndët; Stilistikë, Semiologji dhe poezi bashkëkohore. Poezitë e tij janë përfshirë në shumë antologji të poezisë shqipe dhe në antologji të poezisë bashkëkohore në gjuhë të ndryshme. Poezitë i janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht, polonisht, serbokroatisht, turqisht, arabisht, maqedonisht. Ishte Kryetar i PEN Qendrës së Kosovës dhe njëherësh themelues në vitin 2004. Ka qenë Kryetar i Bordit të Universitetit të Prishtinës, kurse nga viti 2012 ishte anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave./KultPlus.com

Të ngjajshme