Behgjet Pacolli vizitoi shkrimtarin Ismail Kadare (FOTO)

8 Nëntor, 2017 - 4:29 pm

“Më vjen mirë, që e kam mysafir në shtëpi ministrin e jashtëm të Kosovës, z. Pacolli, që e kam takuar dhe në Kosovë. Më vjen mirë, që ai ka vënë në dispozicion emrin e vet, suksesin e vet, autoritetin e vet në shërbim të Kosovës.”, kështu ka thënë shkrimtari më i shquar bashkëkohorë shqiptarë, i nominuar disa herë për çmimin “Nobel” për letërsi, Ismail Kadare, gjatë një pritje që i bëri në shtëpinë e tij në Paris, ministrit të Ministrisw sw Punwve tw Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollit, së bashku me bashkëshorten e tij.

I pyetur si e konsideron faktin, që ai ka zgjedhur Francën, si një nga vendet e para për ta vizituar, shkrimtari Kadare tha: “E vlerësoj shumë këtë fakt. Zoti Pacolli po kontribuon për ta afruar atë me Evropën, sepse shqiptarët janë evropianë, janë pjesa natyrale e Evropës”.

Në vazhdim të bashkëbisedimit, ministri Pacolli e ka falënderuar shkrimtarin Kadare për kontributin e tij të çmuar, në mënyrë të veçantë për Kosovën.

“Vizitën time zyrtare në Francë e kam filluar në shtëpinë e penës me të ndritur shqiptare, shkrimtarit të madh dhe të njohur e vlerësuar në gjithë botën, z. Ismail Kadare. E falënderova me gjithë zemër për kontributin e pa zëvendësuar, që ai dha, veçanërisht për Kosovën, duke filluar me demonstratat e viteve 80, Rambujenë, me artikujt e shumtë në shtypin francez”, ka thënë Pacolli.

Kadare e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme, që kryediplomati kosovar, Pacolli ka zgjedhur pikërisht Francën, si njërin nga vendet e para për ta vizituar në kuadër të turneut të tij diplomatik dhe e ka cilësuar pozitivisht ardhjen e tij në krye të diplomacisë kosovare. Në lidhje me këtë ai, gjithashtu, vlerësoi lidhjet natyrale të Kosovës dhe të kombit shqiptar me Francën./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme