Bekim Fehmiu dhe ‘pushkatimi’ i dy vëllezërve të tij, Arsimit e Bashkimit

22 Dhjetor, 2017 - 6:55 pm

“E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” është titulli i librit të Bekim Fehmiut, gjigantit të kinematografisë botërore, aktorit holivudian me pesëdhjetë filma, me rrole kryesore. Më 1987, për të demonstruar protestën e tij të thellë shpirtërore për shkak të përhapjes së urrejtjes dhe propagandave monstrume serbe ndaj shqiptarëve, definitivisht braktisi aktrimin në Beograd.

Po shkëpusim fragment të shkurtë nga një rrëfim fëmijëror i pa harruar i Bekim Fehmiut, gjatë okupimit fashist më 1944.

*****************
“Pushkatimi i vëllezërve”

“Të gjithë janë si të çmendur. Nëna Dija, gjyshja Hili dhe motra Besa kanë kërkuar te të gjithë fqinjët, kurse babai tërë Prizrenin duke i kërkuar Bashkimin e Arsimin. “As oni, as nishoni” i tyre, ndërsa tashmë ora është nëntë e mbrëmjes. Mendojmë më të keqen. Rrimë ashtu, të grumbulluar me plot brengosje. Ora dhjetë e gjysmë, papritur dëgjohet një trokitje e lehtë, paksa e turpshme në derë. Babai nervoz ngrihet por nëna e gjyshja nuk e lënë dhe i dalin para. U kthyen të dyja me Bashkimin, i cili dukej sikur të ishte fëlliqur në brekë. Babai (ishte mësues) kërcet dhëmbët nga zemërimi:
-“Ku asht aj tjetri?”
Bashkimi bëlbëzon : “Në dud (man)!”
-Qysh more në dud, shka lyp n’dud n’ket koh t’natës”-pëlcet!
Të gjithë ngrihemi dhe vrapojmë kah dhoma e madhe. E kallim dritën. Kur çka të shohim! N’dollap Arsimi është i varur si majmun. Dorën e djathtë e ka të lidhur me fashë. Ishte bllokuar, nuk mundet me lëvizë as para as mbrapa, dega nëpër të cilën ka hypur është shumë e hollë, përfundi përrocka dhe kalldërmi! Nëna dhe gjyshja ngjiten shpejt n’katin e dytë, e çelin dritaren dhe e tërheqin Arsim “majmunin” dhe e fshehin pas shpinës për ta mbrojtur nga babai. Që të dy babai i fut në një dhomë dhe i urdhëron të qëndrojnë kah muri, sikur babai e daja Mazllum para gjermanëve.
-“Si keni hy n’shpi, kur derës i është vu rezja?”
-“E kemi kcy zidin”, pikëllueshëm përgjigjet Bashkimi!
-“E ti shka lyp n’kët kohë n’dud”, e pyet Arsimin!
-“Kujtova se është penxherja hapun për me hy mrena me ia çel derën Bashkimit e me hi n’dyshek me flejtë, çe kamt i kemi la, kshyre, përgjigjet Arsimi!
Babai vështron herë njërin e herë tjetrin. Gjyshja me kujdes e me butësi e pyet Arsimin : “Shka ki bir ashtu n’dorë?”

1931, Sarajevë, familja e Bekim Fehmiut (dy gjyshet dhe daja).

Arsimi me kokë të ulur e me ata sy si të kitrrës, përgjigjet:
-“Kurxha, u rrzova dhe e preva pak dorën”!
-“E tashti hajde ju të dy më tregoni ku ishit gjithë ditën? E du të vërtetën”, vazhdoi babai.
Meqë Bashkimi ishte më i madh, filloi ai.
-“Qysh herët e vendosëm me Haxhi Kabashin, vllavin e tij Ruxhën, Xhavitin, Veselin e tanë shoqninë, me shku me u la në Drin të Bardhë te Nasheci. Jemi çue herët, kemi marrë me qira biçikletat dhe jemi nisë. Mbasi u lamë në Drinin e Bardhë, thamë hajde ta provojmë edhe Drinin e Zi te Kukësi…..”!
Babai zgurdulloi sytë dhe s’mund t’u besonte veshëve. Në dorë mbante një brushë të vogël druri për flokë.
-“Edhe”!
-“Edhe u nisëm….dhe mbrrim atje…..Masanej jemi la, kemi kcy prej shkambinjve, jemi rrezitë, kemi kap njala, kemi hangër dhe jemi kthy. Dyqani i biçikletave ku i morëm me qira ishte mshelë, i kemi lanë te Ruxha…e ai nesër…..”!
Bashkimi ende nuk e mbaroi fjalën dhe babai ia hedh brushën e drurit drejt tyre. Si njëri edhe tjetri me shpejtësi, si pantera, kërcejnë anash, nga muri ra një copë mallter.
Babai nxjerr rripin prej pantallonave, me një dorë mbante pantallonat që mos t’i bien e me tjetrën u bie vëllezërve. Nëna dhe gjyshja ndërhyjnë mes babait dhe vëllezërve, të cilët bërtasin sikur po qajnë, për të bërë zhurmë që të shpëtojnë.

-“Zotni Ibrahim, pash nji zot…zotni Ibrahim eja n’vete, nuk bohet ashtu…..ndërhynte gjyshja!
-“A fmijt e mi t’bahen rrugaça a? A fmijt e mij t’bahen hajna e vagabonda a? Se sjellja e tyne veç atje i çon. E unë si mësues tanë jetën mundohem t’i mësoj e edukoj fëmijt e të hujve kurse të mijt……!? Dhe përderisa flet tanë kohën u sjellë me rrip pas shpinës së nënës dhe gjyshes, ku fshihen Bashkimi e Arsimi.
-“Sonte për ju nuk ka darkë….Kurse nesër, masnesër s’ka dalje në rrugë. E tashti hupni n’sobën tjetër e mos t’ju shoh ma”.
Aty për aty pushoi kukama e vëllezërve të mi. Ecnin kujdesshëm prapa shpinës së nënës e gjyshes. Babai i mbylli në dhomë dhe e vari çelësin mbi derë, në gozhdë.
-“Mos gaboni e me hy mrenda ju të dyjat”, u tha babai!
Të gjithë kemi ra në dhomën ku zhvillohej “hetimi” i vëllezërve. Dyshekët janë të zbrazët ndërmjet babait e Fatmirit. Duket gjoja se….të gjithë flejmë. Nëna i pëshpëritë diçka gjyshes, ajo çohet duke u mbështjellë me dimi dhe paksa kërrusur, në majë të gishtave del jashtë. E dëgjoj çelësin në bravë. Gjyshja u dërgon ushqimin vëllezërve të mi shejtan”.

Të ngjajshme