Bestseller në Tiranë, Ilir Ikonomi sjell biografinë e Fan Nolit edhe në Prishtinë: Noli, oqean i madh që nuk mund të përmblidhet në një libër

23 Nëntor, 2023 - 1:16 pm

Vjollca Duraku

Oqean i Madh është quajtur Fan Noli nga autori Ilir Ikonomi, i cili mbrëmë promovoi vëllimin e parë të  librit biografik “Apostulli”, njëkohësisht duke paralajmëruar edhe dy të tjerë në radhë. I menduar të përmblidhej me 500-600 faqe, libri mbi biografinë e shkrimtarit të madh shqiptar Fan Noli, nuk arriti  të përmblidhte gjithë veprimtarinë e kolosit,  i cili si një figurë shumëdimensionale erdhi mbrëmë edhe në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në mbi 40 mijë faqe të studiuara në arkivat e Amerikës, Londrës, Vjenës, Shqipërisë, e në gazeta ditore të asaj kohe, ‘Themelues i shtetit shqiptar’ është elementi kryesor që e karakterizon Nolin, ndër të tjerë si poet, historian, prift, politikan, përkthyes, revolucionar, vizionar etj.

Në ambientet e librarisë Dukagjini, me një numër të madh pjesëmarrësish mbrëmë është bërë promovimi i librit “Apostulli” nga Ilir Ikonomi, i cili më pastaj  në kohë rekord edhe u shit gati në tërësi i gjithë tirazhi prezent.

Ky libër i cili e paraqet figurën e Nolit si një ndër themeluesit e shtetit shqiptar, si rrallëherë ndodh me librat historik dhe biografik, u shndërrua në Best Seller në Panairin e Librit i cili po mbahet aktualisht në Tiranë.

Bashmir Xhemaj, ishte ai i cili në këtë mbrëmje mori fjalën i pari, ku edhe çmoi lartë stilin e shkrimit të autorit Ikonomi në portretizimin e figurës së Nolit.

“Iliri tashmë është etabluar në një zhanër shumë të jashtëzakonshëm të biografive për disa nga figurat shumë të rëndësishme të shekullit 20-të, për çka jam i bindur që ai ka sjellë një modalitet në mënyrën se si shkruhen dhe portretizohen këto figura, duke i dhënë edhe një kahje tjetër historiografisë, nëse mund ta quaj komuniste, ngaqë kemi lexuar, dhe mësuar”, tha Xhemaj.

Për stilin e jashtëzakonshëm të Ikonomit u shpreh më tej edhe studiuesi Bejtullah Destani.

“Për mendimin tim, Iliri e ka studiuar gjithë biografinë shqiptare edhe në Shqipëri edhe në Kosovë dhe ka një stil të jashtëzakonshëm, ashtu siç ka shkruar edhe librin e parë për Faik Konicën, Ismail Qemalin, Esat Toptanin, ai na sjell informacione jashtëzakonisht të reja”, tha Bejtullahu  duke vënë në pah kërkimet e Ikonomit në arkiva të ndryshme si Itali, Amerikë, Vjenë, Londër ku në të kaluarën jo çdo kush ka pasur qasje për të lexuar për historinë e Shqipërisë.

Ndërsa, Suadela Baliu, redaktore e cila ishte pjesë e botimit të librit,  tha se librin pas shumë kërkesave arritën ta sillnin edhe në Prishtinë

“Këto ditë të panairit kemi pasur shumë kërkesa nga Kosova që vinin enkas për të blerë librin e Fan Nolit me autor Ilir Ikonomi. Zakonisht jemi mësuar që librat me natyrë historike, biografitë nuk janë nga ata Best Seller. Por, ndodhi që në fakt ishte Best Seller sepse mbaroi tirazhi i parë. U kërkua shumë”, tha Baliu e cila më tej tregoi që  Noli në libër paraqitet  hap pas hapi, që nga mbërritja e tij në Amerikë si një djalosh 20 e ca vjeçar, ambicioz e vizionar për çështjen kombëtare.

Ndërsa vetë autori Ilir Ikonomi, i lumtur që para vetes kishte numër të madh të pranishmëve, shpalosi para tyre një dhuratë- bluzë e cila kishte të shtypur kopertinën e librit të tij, e që i ishte lënë dhuratë nga një kosovar, në panairin e librit në Tiranë.

“Ky është mendoj vlerësimi më i mirë nga një lexues për mua. Nuk e kam takuar ndonjëherë këtë njeri, por do të dëshiroja ta takoja, ndoshta do të kem rast. Është një gjë e bukur që ai e ka vlerësuar këtë libër”, u shpreh me mirënjohje ai.

Duke e shpjeguar mënyrën e tij të shkrimit, autori Ikonomi këtë libër e ka quajtur kërkim të gjatë, pasi ka dashur që punën e vet ta ndërtoj mbi fakte nga fillimi, dhe jo nga ajo që është thënë më herët për këtë figurë.

“Të tjerët mund të jenë mburrur, mund të kenë thënë njeri i madh, gjigand, mirëpo kjo nuk më ka interesuar fare kur shqyrtoj një figurë të tillë. I tillë ka qenë edhe rasti i Nolit, pa marrë parasysh se çfarë kanë thënë të tjerët për të, unë thash që do të bëj një libër që do të bazohet krejtësisht mbi dokumentet.”

Fillimisht Ikonomi kishte menduar që të sillte Nolin në të gjitha dimensionet në vitet 1906- 1920, me një volum prej 500-600 faqesh, por që kjo teori më vonë doli që nuk ishte e saktë.

“E kuptova që i kisha hyrë në këmbë një oqeani të madh dhe që është e pamundur që ta përfundoja me 500-600 faqe me Nolin. Ishte e pamundur sepse kishte aq shumë dokumentacion. Materialet të cilat unë mblodha nëpër arkiva dhe biblioteka duhet të jenë mbi 40 mijë faqe, që për fat të mirë përmes teknologjisë mund t’i fotografosh dhe s’ke nevojë t’i fotokopjosh dhe të shkosh çdo ditë në bibliotekë për një libër për të mbajtur shënime.”

Nga viti 1906 deri 1920 Noli sipas autorit Ikonomi kishte pasur një aktivitet të jashtëzakonshëm, që sipas tij fillon me krijimin e kishës shqipe në Amerikë, si një gjë aspak të lehtë në kohën kur ndikimi i kishës greke atje ishte shumë i fortë.

“Noli shkonte dhe predikonte ungjillin në gjuhën shqipe dhe pas ungjillit ai predikonte diçka tjetër, ai mbante fjalim dhe ky fjalim nuk ishte më fjalim fetar, por ishte politik. Ai fliste aty për politikë, dhe për atë se si duhej që Shqipëria të dilte nga zgjedhja e Turqisë, si të arrihej pavarësia dhe krijimi i shtetit tonë të ardhshëm. Prandaj ka rëndësi kjo që bëri Noli”, u shpreh autori duke e quajtur Nolin si vizionar e kulturës dhe iluminues të shqiptarëve, pasi populli ynë na atë kohë nuk kishte njohuri çka ishte gazeta, e as rëndësinë e asaj që mund të ketë për ngritjen e edukimit dhe kulturën, duke mësuar gjëra të reja.

“E gjendur nën sundimin e Turqisë, Noli ishte ai që e kuptoi që ka shpresë dhe ka shpresë shumë dhe prandaj lufta për autonomi filloi në SHBA, ideja e autonomisë mes shqiptarëve u hodh nga Fan Noli në fillim me autonominë e kishës, ku do flasim shqip në kishë. Ky ishte një njeri vizionar, kishte një vizon të qartë së çfarë do të duhej të bënin shqiptarët.”

Noli, për më tepër ishte njeri me një ego të madhe, i cili sipas autorit me të drejtë thoshte unë jam i pari, më i zoti, më i miri, e i cili pati dëshirë të madhe që të ishte pjesë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, themelet e së cilës i hodhi vetë ai.

“Shkuarja e Nolit në Evropë nuk ishte thjesht për të shkuar në Evropë, por qëllimi ishte t’i bashkëngjitej grupit të Ismail Qemalit që po vinte prej Stambollit në Vlorë për të shpallur pavarësinë. Ismail Qemali ishte ndaluar në Vjenë në atë kohë, që të takohej me diplomacinë vjenezë për të shkuar pastaj në Vlorë. Noli niset për Liverpool, që pastaj të shkonte në Vlorë për të takuar Qeverinë e Ismail Qemalit. Ai donte të bëhej dikush në qeverinë e Ismail Qemalit. Por derisa Noli po udhëtonte drejt Liverpoolit, kupton që Pavarësia ishte shpallur, nga ku shkon në Londër dhe e vazhdon aktivitetin.”

Autori më tutje tregoi për rolin që Noli pati më 1914, për krijimin e kishës shqipe në Shqipëri, me ndihmën e Austrisë dhe për përpjekjet e tij të mëdha me themelimin e federatës Vatra e cila pati rol për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë pasi të mbaronte Lufta e Parë Botërore.

“Lufta mbaroi më 1918 dhe në Konferencën e Paqes këta mendonin se do të ndahen trojet, Shqipëria do të ndahej apo jo sepse kishte një traktat të fshehtë për ta copëtuar Shqipërinë mes Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi dhe Noli gjatë gjithë kohës së luftës kishte punuar që shqiptarët të kishin një vizion që kur të vinte konferenca e paqes, të ishin të përgatitur dhe që Shqipëria të mos copëtohej. Pra të mbanin kufijtë e 1913-ës sepse Kosovën nuk kishin shpresë për ta marrë”, shtoi Ikonomi më tej duke përmendur edhe gjurmën ai që kishte lënë pas takimit me presidentin amerikan Wilson, i cili pas premtimit e do ta mbronte Shqipërinë nga copëtimi, përmes një marrëveshje të fshehtë, Vlora për pak sa nuk iu dha Italisë.

“Mirëpo nuk kaloi shumë dhe Wilson bëri një marrëveshje të fshehtë me Italianët, ku u tha që Vlorën do ta merrni ju. Noli dhe gjithë patriotët shqiptarë u zemëruan shumë dhe filluan t’i shkruajnë letra presidentit Wilson, ku Noli e kritikoi shumë ashpër për punën e Vlorës. Pastaj ngjarjet u zhvilluan në mënyrë të tillë që Wilsoni hoqi dorë nga këto plane, dhe i dha mundësinë  Shqipërisë që të mbetet në kufijtë e 1913”, përfundoi autori Ikonomi duke e quajtur të rrallë figurën e Fan Nolit s një mishërim i dijeve të thella të kulturës, historisë, gjuhëve, elokuencës së tij në të folur dhe aftësisë së tij të madhe për të bindur, elemente që u bashkuan me një patriotizëm të rrallë. 

Pas ceremonisë së promovimit, u mbajt edhe një koktej rasti, ku mysafirët patën rastin që për së afërmi të takojnë autorin Ilir Ikonomi dhe të diskutojnë për librin që u promovua këtë mbrëmje. /KultPlus.com

Të ngjajshme