“Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, vepra në muzikologji e Nolit

21 Qershor, 2023 - 11:12 am

Më 21 qershor 1947, Fan Noli botoi monografinë “Beethoven and the French Revolution” (Bethoveni dhe Revolucioni Francez).

Figura poliedrike e Nolit do të fokusohej në vitet `30 në një spektër tjetër përpjekjesh krijuese, në atë të muzikologjisë. Në vitin 1935 Noli, i njohur gjerësisht si klerik dhe politikan, iu kthye njërit prej pasioneve të tij të hershme, muzikës. Në moshën 53-vjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Nju England, në Boston, ku u diplomua më 1938. Para se të shtypej për botim, monografia “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, u mbrojt prej Nolit si temë diplome.

Përmes këtij studimi, Noli mori gradën shkencore të shkallës së parë në muzikë. Me këtë publikim, Noli mbrojti argumentin se Revolucioni Francez dhe idetë republikane patën ndikim të thellë në muzikën e Beethovenit.

Interesi i Fan Nolit për muzikën nisi në kishë. Ai u njoh si themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Boston të SHBA, më 1908. U bë reformatori i mirëfilltë i saj. Reforma kishtare e Nolit solli të kënduarit shqip në kishë. Të kënduarit në “kishën e Nolit”  bëhej me kor të përzier (burra e gra), ashtu siç këndohen në Perëndim meshat, oratoriot, requiem-et e madrigalët, por që ishin himne të Kishës Ortodokse dhe më kryesorja, të përkthyera prej tij dhe kënduara të gjitha në shqip./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme