займ на карту онлайн потребительский кредит

Betoveni, poezia, shiu…

10 Janar, 2021 - 6:28 pm

Në kujtim të profesor Zekeria Canës, historianit dhe intelektualit të njohur nga  plejada e gjeneratës së artë të viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta , që i dha impulse lëvizjes kombëtare për liri, barazi dhe demokraci, që solli shtetin e Kosovës.

Jusuf Buxhovi

Pranvera e vitit 1962 ishte me shira të pareshtura. Retë e mbushura me lagështi, sikur ia kishin ndaluar rrugën rrezeve të diellit. U desh  korriku që përfundimisht  ta kthejë verën e mbetur.

Në atë ndërkohën e lagështisë, u shfaq befas diçka që për pak daroviti zymtësinë e saj. Ishte muzika e Betovenit dhe tingujt e “Simfonisë së pestë” që ndryshoi gjendjen tonë shpirtërore.

Ky ndryshim ndodhi në saje të profesorit të historisë, Zekeria Cana. Ditën që erdhi në klasë, me vete kishte një gramafon dhe disa disqe.

Pa folur shumë, hapi kutinë dhe pasi vuri në të një disk, kërkoi që të dëgjojmë me vëmendje tingujt që me të shpejtë mbushën hapësirën e klasës.

“Ky është leksioni i parë i historisë së shpirtit”, tha.

Për ne që ende nuk e bënim dallimin midis historisë si ngjarje dhe historisë shpirtërore,  ngaqë e para ishte e fshehur, ndërsa e dyta e pa përjetuar, kujtesës i dhanë kuptim paraqitja e gramafonit dhe tingujt e një muzike klasike, që vinin kumbueshëm nga të gjitha anët.

Ishte ky një përjetim sa i habitshëm  po aq emocional.

Pasi pllaka u ndal dhe kutia e gramafonit dukej si një gjë magjike, profesor Cana na tha se ishte Betoveni dhe “Simfonia e Pestë”. Me këtë rast, profesori na shpjegoi se kush ishte kompozitori i madh gjerman, për të cilin ne thuajse nuk dinim gjë. Mbresëlënëse ishte e dhëna se kompozitori i madh ishte i shurdhër.

Gramafoni me pllakat e Betovenit, nuk mbeti vetëm  në Shkollën e Mesme Ekonomike të Gjakovës,  ku Zekeria Cana jepte lëndën e historisë. Tingujt e “Simfonisë së pestë” depërtuan edhe në ambientet tjera kulturore, sidomos në Bibliotekën e Qytetit, me rastin e takimeve letrare si dhe manifestimeve të tjera kulturore.

Kështu, gramafoni i profesor Canës si dhe muzika e Betovenit u bë pjesë e leximeve letrare, si prelud i poezive të Tekiut (Dervishit), Esadit (Cërmjanit), Aliut (Musajt), Nusretes (Vulës),Sefedinit (Fetiut), Nexhmedinit (Sobës) e krijuesve të tjerë të Gjakovës, shumë prej të cilëve do të bëhen emra të njohur të letërsisë sonë.

Por, si çdo mrekulli që vjen befas dhe befas largohet, edhe gramafonit me pllakat e Betovenit, i erdh fundi.

Ndodhi kështu ngaqë, pak pa mbaruar viti, profesorit sikur i humbën gjurmët. U zëvendësua nga një tjetër. Na u tha se “kishte udhëtuar dika”.

Por,nga thashethemet, u mor vesh  se profesor Cana ishte shpallur “i rrezikshëm” dhe se duhej të largohej nga procesi arsimor.

Vite më vonë, në fillim të shtatëdhjetave, profesor Canën e takova në Prishtinë, në Institutin Albanologjik,  si bashkëpunëtor shkencor .

Biseda jonë u ndërlidh me gramafonin dhe “Simfoninë e pestë” të Betovenit.

“Ç’e do që në ato kohë të vështira të përndjekjeve, një arsimtari të historisë, edhe muzika e Betovenit i merrej “mëkat”!

Kur e pyeta se ç’u bë me gramafonin dhe pllakat e Betovenit, profesor Cana, tha se mund të kenë përfunduar diku në ndonjë depo “të gjerave të ndaluara”. Por, ajo ndalesë nuk ishte në gjendje që të ndërpresë lidhjen shpirtërore me tingujt e muzikës së Betovenit, që u vendos te ne dhe brezi ynë në atë stinë me shi të imë…/ KultPlus.com

Të ngjajshme