Biblioteka e Tabakëve: nga krenaria e Shkodrës te konfiskimi nga regjimi komunist

9 Gusht, 2025 - 11:30 am

Në shekujt XVIII-XIX, Shkodra ishte një ndër qytetet më të zhvilluara të Ballkanit, jo vetëm në aspektin ekonomik e politik, por edhe si qendër e dijes dhe arsimit. Ky zhvillim u pasqyrua disa dekada më vonë, kur elita politike e intelektuale e qytetit do të kishte një rol të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe në mbrojtjen e vendit nga agresionet e njëpasnjëshme.

Një shembull i këtij kontributi është Jusuf efendi Tabaku, i cili në gjysmën e dytë të shekullit XIX shërbeu si imam, ndërsa në vitin 1863 u emërua myfti i Shkodrës. Sipas veprës “Shkodra dhe motet” (vëll. I) të studiuesit Hamdi Bushati, në shtëpinë karakteristike të Jusuf efendiut gjendej një dhomë e veçantë e quajtur “Oda e qitapeve”. Aty ishte ngritur një nga bibliotekat më të pasura të qytetit, me rreth 2000 libra nga fusha të ndryshme të shkencës.

Mes tyre gjendeshin edhe vepra të rralla, si “Emni Vehbije sherif” e Tahir efendi Gjakovës, e shkruar shqip me gërma arabe në vitin 1835, apo dy tabela astronomike të përgatitura nga Hoxha Hasan Tahsini dhe të botuara në Paris në vitin 1867. Por ajo që ngjall interes të veçantë është mënyra si regjimi komunist iu qas bibliotekave private dhe, në këtë rast, Bibliotekës së Tabakëve, e konsideruar ndër më me vlerë në Shkodër dhe në gjithë Shqipërinë.

Nga dokumentet arkivore del se në vitin 1964, me urdhër të kryeministrit Mehmet Shehu, Komiteti Ekzekutiv në Shkodër u ngarkua të inventarizonte këtë bibliotekë. Në shkresën e tij, Shehu theksonte se:

“Duke qenë se ‘Biblioteka e Tabakëve’ ka një sasi të madhe librash (rreth 2000 volume) të ndryshme, në gjuhë të huaja dhe shqip, të rëndësishme sidomos për studimin e problemeve të orientalistikës dhe kanë vlerë edhe për historinë e vendit tonë, me qëllim që ato të njihen, të ruhen më mirë dhe të vihen në shërbim të studionjësve

Materialet e ‘Bibliotekës së Tabakëve’ në Shkodër të inventarizohen sipas rregullave përkatëse;

Kjo punë të kryhet nga një komision i veçantë nga Komiteti Ekzekutiv në Shkodër, me pjesëmarrjen e Bibliotekës Shtetërore Shkodër, e cila duhet ta ketë nën kujdestari;

Një kopje e inventarëve t’i dërgohet edhe kësaj Kryeministrije.
Familjes që ka këtë bibliotekë t’i shpjegohet nga kryesia e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Shkodër rëndësia dhe domosdoshmëria e këtij inventarizimi, duke i falënderuar me këtë rast për kujdesin që kanë pasur në krijimin dhe ruajtjen e kësaj biblioteke.

Procesi i inventarizimit nuk iu la vetëm në dorë strukturave vendore. U angazhua edhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, e cila përmes një relacione të datës 30 qershor 1964, drejtuar Kryeministrisë dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, raportonte se nga verifikimet në terren ishte konstatuar një fond i gjerë librash me tituj të shumtë.

Biblioteka ishte trashëgimi e Hasan Tabakut, figurë fetare, që e kishte marrë nga gjyshi i tij, Jusuf efendi Tabaku. Ky fond përfshinte libra të teologjisë, historisë, letërsisë, filozofisë, jurisprudencës etj., kryesisht në gjuhët arabe, perse dhe turke. Mes tyre gjendeshin edhe dorëshkrime të rralla në shqip me gërma arabe dhe materiale të tjera me rëndësi të veçantë shkencore. Sipas burimeve të paverifikuara, disa dorëshkrime në shqip ishin marrë nga persona të ndryshëm për t’u shfrytëzuar për interesat e tyre.

Përpara vitit 1944, kjo bibliotekë kishte qenë e hapur edhe për studiues të huaj dhe kishte një vlerë të veçantë për orientalistët e specialistët e fushës. Në relacionin e tij, shefi i Degës së Organizim-Inspektimit në AQSh propozonte që “Biblioteka e Tabakëve” të vendosej nën kontrollin e shtetit.

Megjithatë, sipas vlerësimeve të sotme, problemi nuk ishte vetëm marrja në kujdestari nga shteti, por fakti që bibliotekat private shpesh u shpërbënë, u bashkuan me fondet e tjera dhe u magazinuan, duke humbur integritetin dhe identitetin e tyre historik./KultPlus.com

Të ngjajshme