Biblioteka ‘Ernest Koliqi’ shënon ditën e bibliotekës dhe ditëlindjen e shkrimtarit të madh

21 Maj, 2025 - 11:20 am

Në ditëlindjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Ernest Koliqi (20 maj 1903), biblioteka Ernest Koliqi në Prishtinë ka shënuar për të tretën herë Ditën e Bibliotekës.

Fjalën përshëndetëse në emër të ipeshkvit tonë Imzot Dodë Gjergji, e mbajti Don Lush Gjergji, i cili nënvizoi kontributin e jashtëzakonshëm të Koliqit në kulturën shqiptare, bashkimin e diasporës shqiptare dhe edukimin e brezave të rinj.

“Sivjet Ditën e Bibliotekës ia kemi kushtuar “Shejzave” të Koliqit. Jemi të lumtur që, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, të kemi sot edhe një koleksion të “Shejzave” për ekspozitë. Me BKSH-un kemi nënshkruar ditë më parë edhe një memorandum të bashkëpunimit, e ky aktivitet është i pari i këtij bashkëpunimi”, thuhet në njoftim.

Për “Shejzat” e Koliqit, foli studiuesi Vehbi Miftari, me temën “Shêjzat” – monument kulture dhe atdhedashurie.

“Ishte shumë emocionuese që sivjet të kemi 40 revista origjinale të “Shejzave” të Koliqit, të ekspozuara posaçërisht për këtë ditë, të nxjerra nga Fondi i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, me kurator Andreas Dushi, i cili ishte edhe përfaqësues i BKSH-ut për këtë ditë”.

Dushi foli për rëndësinë e Shejzave, krijimtarinë e plotë të Koliqit që ka BKSH-u dhe për Willy Kamsin, bibliotekarin e pasionuar shkodran, që e ka regjisturar bibliografinë e plotë të revistës dhe krijimtarisë së Koliqit.

Ditë më parë, Sh. B. “Drita” ka botuar librin “Libri i Mallit. Poezia e Ernest Koliqit”, të autorit Vehbi Miftari, për të cilën foli Kujtim Mani, redaktori i botimit.

Mbrëmja e kësaj ditë të veçantë për bibliotekën tonë u pasurua me pika artistike muzikore: nga J.S.Bach “Fugue” no.5, dhe S. Rachmaninoff Elegie Op.3 No.1, që i interpretoi në piano Shpëtim Mehmeti, kurse këngën “Dielli ka prendue” e kompozuar nga Prenk Jakova, arie nga opera e parë shqiptare “Mrika” e mbajtur në Shkodër, në qytetin e lindjes së Ernest Koliqit e këndoi Doruntina Gjini, i përcjell në piano nga Shpëtim Mehmeti./ KultPlus.com

Të ngjajshme