Biblioteka “Gjergj Fishta” i bashkohet nismës: “Dhuro, gjej, lexo”

5 Tetor, 2019 - 7:00 pm

Biblioteka “Gjergj Fishta” i është bashkuar nismës së Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë, “Dhuro, gjej, lexo” për Tetorin e Librit, muajin e leximit.

“Biblioteka “Gjergj Fishta” e lumtur që i bashkohet nismës së Ministrisë së Kulturës: “Dhuro, gjej, lexo” për Tetorin Librit, muaji i leximit dhe i sfidave te reja. Bashkia Lezhë ju fton të gjithëve të bëheni pjesë e kësaj nisme”, shprehet bashkia e Lezhës.

Muaji Tetor është pagëzuar si muaji i librit. Nën moton “Lexo shqip!”, Ministria e Kulturës nisi më 2 tetor një fushatë për leximin, të quajtur “Dhuro, gjej, lexo”, e cila synon të nxisë drejt leximit, brezin e ri.

Është një ide e thjeshtë dhe sfiduese, që ka të bëjë me lënien e një libri të dashur në një ambient publik, në stol, urban, stacion, kafene etj., në të cilin shkruani një shënim për këdo që e gjen.

Kjo nismë do zhvillohet përmes një sfide në rrjetet sociale, ku secili që lë librin e tij të preferuar diku, bën një foto ose video dhe e poston në faqen e tij.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka ftuar në këtë nismë që të bëhen të gjithë pjesë saj dhe të nominojnë 3 persona të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë. Pra nëse gjejnë një libër, ta lënë diku, dhe të ndajnë foton edhe me të tjerët. /Atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme