“Bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit”

19 Mars, 2020 - 5:00 pm

Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, F.Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike. I lindur në Konicë, më 15 mars 1875 në një familje të vjetër feudale mësimet e para ai i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SH.B.A. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën “Albania”, kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë.

E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë. Më 1909 F.Konica, si u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SH.B.A. ku drejton gazetën “Dielli” edhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”. Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SH.B.A., do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë. Në 1921 u kthye në SH.B.A., ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”. Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e A.Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SH.B.A. Vdiq në Uashington në 14 dhjetor 1942.

Si intelektual i përmasave evropiane, Konica tha shumë gjëra me vlerë. Më poshtë po i sjellim disa thënie të tij, të cilat kanë rëndësi dhe janë aktuale.

1. Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin (Albania 4, 1906).

2. Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë. (Albania 1, 1897).

3. Grekët kanë një armë të frikshme: pabesinë (Albania 2, 1897).

4. E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike. (Albania 2, 1897).

5. Ka qenie tek të cilat ndjenja e humorit nuk e ka forcën e duhur (Albania 2, 1897).

6. Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme. Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë. (Albania 2, 1897).

7. Bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit (Albania 2, 1897).

8. Gazetarët janë njerëz spiritualë dhe të dashur (Albania 5, 1897).

9. Xhelat je se të pëlqen të jesh (Albania 8, 1897).

10. Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme (Albania 9, 1898).

11. Nga lartësia e piedestalit ku zuzarët kapardisen me poza gjysmë-perëndish, ne do t’i asgjësojmë me një të goditur. A bon entendeur, salut! (Kush të dojë, le ta kuptojë) (Albania 9, 1898).

12. Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon (Albania 11, 1898).

13. Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij (Albania 11, 1898).

14. Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia (Albania 11, 1898).

15. Popujt që ushqehen me perime e produkte qumështi kanë përgjithësisht zakone shumë të buta. (Albania 11, 1898).

16. Një popull që është i paaftë të afirmojë vitalitetin e vet, është në rrugë të pashmangshme tatëpjete (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

17. Ka mënyra të ndryshme për t’i shërbyer një vendi dhe gjithkush i shërben në mënyrën që i përshtatet më mirë karakterit të tij. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

18. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

19. Sharjet e kundërshtarit të nderojnë (Albania 16,15-31 korrik 1889).

20. Ka njerëz që shiten tek një qeveri për të pështyrë gënjeshtra. (Albania 16,15-31 korrik 1898).

21. Ai që i bën vërejtje dikujt si i edukuar keq, tregon nga ana e tij një edukim të paktën po aq të keq. (Albania 16,15-31 korrik 1898).

22. Mund të jesh njeri vulgar e të thuash do gjëra të arsyeshme (Albania 16,15-31 korrik 1898).

23. Më mirë të jesh një i egër i ndershëm, se sa një i qytetëruar i poshtër (Albania 16,15-31 korrik 1898).

24. Të gjitha vendet kanë tradhtarët e tyre të ndyrë (Albania 24, 15-28 shkurt 1898).

25. Lëvdata shpesh e ka brenda prapamendimin. (Albania 26, suplement 4, 5-30 prill 1899).

26. Pakorrigjueshmëria e një alkooliku është simptoma më e njohur e një çrregullimi mendor (Albania, 15-30 qershor 1899).

27. Ka shpesh personazhe vlera e të cilëve, zmadhuar nga larg, shfaqet më e vogël tek shihet nga afër. (Albania, 10 shtator 1900).

28. Nuk mund të gjykohet për tokën para se të mbjellësh ( domethënë: toka e mirë njihet kur hedh farën (Albania, 31 maj 1901).

29. Shumë broçkulla edhe u falen politikanëve, por pa kaluar kufijtë (Albania 20 qershor 1901).

30. Sa më shumë të mbahen fjalime parlamentare aq më i paktë është zotimi (Albania 20 qershor 1901).

31. Historia nuk është veçse një rifillim i përjetshëm (Albania, 10 korrik 1901).

32. Historia na mëson se gjithë ndryshimet politike kanë pasur përherë këta dy faktorë: emigrantët dhe një elitë të vogël, e lindur apo intelektuale, brenda vendit (Albania, 15 shtator 1901).

33. E sa ia vlen të vazhdosh një diskutim të rëndomtë përpara një qëndrimi kokëfortë? (Albania, 15 tetor 1901).

34. Është krim të trazosh lumturinë e budallait (Albania, 9janar 1902 f. 24 G).

35. Kush jeton me fjalë dhe përkundet me ninulla fjalësh, s’ka pse ankohet e të na lëshojë britmat e veta të zakonta prej palloi (Albania, prill-maj 1902, G, f. 113).

36. Popujt e Ballkanit janë të gjithë me mentalitet të kufizuar (Albania, shkurt 1903).

37. Urrejtja partiake shpesh merr përparësi ndaj instinktit kombëtar (Albania 2, 1904).

38. Për të gjykuar mirë një njeri që ka pjesë në histori, duhet t’a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mbas kohës ku ay vetë u rrit, u suall e roiti (Albania, nr.2, 1902).

39. Koha kur rrojmë është koha e reklamës, dhe nuk duhet të çuditemi kur shohim mediokritetet e vëndit t’onë të hidhen përpara, dhe përpara, dhe përpara, duke mos bërë vënt përveç për shokë në shkallë (të caktuar) mëndore të tyre. (Albania 1, 1909).

40. Njerëzit e paditur, në shumicë, rrojnë më tepër se të diturit, se këtyre u punon nat’ e ditë mëndja, e ashtu u prishet më shpejt organizmi (Albania 5, 1899).

41. Ka njerëz që shitën nër guverna për të pështyr gënjeshtra. Ka të tjerë që marrin ndihmë nga një guvernë për të thënë të vërteta që ndryshe nuk mund t’i thonë (Albania 2, 1899).

42. Kur e nget një njeri, s’ke të drejtë t’i thuash pse më nget (Albania 2, 1899).

43. Frika të bën të thuash broçkulla (Albania 4, 25 qershor 1897).

44. Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë (Albania 3, 1904).

45. Kur nuk ka vepra konkrete, ka retorikë (Albania, 4 prill 1904).

46. Atje ku nuk ka as forcë të brendshme në lëvizje, as interesa të jashtme në lojë, thashethemet e disa gazetarëve të huaj nuk mund ta çojnë përpara as edhe një jota zgjidhjen e një problemi politik (Albania 5, 1905).

47. Frikacaku i ka tërë karakteristikat, dhe kryesisht këtë: hakmerret ndaj përbuzjes së tjetrit nëpërmjet sharjes. I pafuqishëm, veç flet keq e shan poshtërsisht të tjerët (Albania 5, 1905).

48. Rinia është e çiltër dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve (Albania 5, 1905).

49. Padurimi shoqërohet gjithnjë nga dështimi (Albania 5, 1905).

50. Më mirë shtrëngo rripin denjësisht, se sa të pëllasësh nga uria (Albania 5, 1905).

51. Kur tinzarinë e përdor si diplomaci, poshtërsinë si shkathtësi, harbutërinë si forcë, domosdo të duket vetja i papërballueshëm. Por betohem për kamxhikun e Skënderbeut se në rastin më të parë do të bëj të ndërrosh mendim! (Albania 5, 1905).

52. Rrallë mund të jesh profet i keq po qe se parathua vetëm gjëra me shumë gjasa (Albania 6, 1905).

53. Gjërat tepër qesharake zbavitin edhe më budallain (Albania 6, 1905).

54. Ka pasur në çdo kohë, dhe përherë do ketë individë të gatshëm për të folur e shkruar lidhur me çështje për të cilat nuk ia kanë haberin të shprehin as fjalën e parë. Por për mendjet e matura, të etura për të studiuar seriozisht një vend e një popull, nuk ka dhe nuk do të ketë veçse dy metoda në përdorim, jashtë së cilave gjithçka tjetër nuk është veçse mashtrim: metoda e parë ka të bëjë me ndërmarrjen e udhëtimeve për të bërë anketime të hollësishme e sistematike drejtpërdrejt në vend; e dyta, me leximin sa më shumë që të jetë e mundur të broshurave e librave të lidhura me çështjen konkrete, me qëllim që të arrihet nëpërmjet induksionit – përmes një morie dokumentesh, faktesh dhe pohimesh kontradiktore – të veçohet e vërteta dhe të koordinohet një tërësi pikëpamjesh të qarta e objektive (Albania 6, 1905).

55. Cilësitë që zakonisht shoqërojnë pafajësinë janë natyrshmëria, mosinteresimi dhe butësia (Albana 4, 1906).

56. Besimi është aritmetika e idealistëve, që i bën të besojnë se gjashtë egoizma të forta janë baras me një bujari të plotë (Albana 4, 1906). /KultPlus.com

Të ngjajshme